Policia e Shkodrës finalizoi një operacion të gjerë kundër kultivimit të bimëve narkotike në zonat rurale të Alijajt dhe Jeranit, duke çuar në pranga 14 persona dhe duke shpallur në kërkim edhe 10 të tjerë.

Të arrestuarit akuzohen për kultivimin e 12.957 bimëve të dyshuara narkotike të llojit kanabis, të cilat ishin mbjellë pranë banesave të tyre. Ndër të ndaluarit janë edhe gra dhe një i mitur 17-vjeçar. Emrat e të ndaluarve janë: Elez Çulaj, Muho Culaj, Fatmir Senaj, Drita Senaj, Rezarta Jacaj, Kujtim Laçaj, Elfajed Halaj, Agron Laçaj, Adrian Çekaj, Gjelin Çekaj, Miranda Çekaj, Pjetër Çekaj, Çun Halaj dhe i mituri.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 1000 fara kanabis, 709 kilogramë lëndë narkotike në formë boçeje, si dhe 3.934 kilogramë bimë në proces tharjeje. Policia gjithashtu ka gjetur sasi të konsiderueshme lënde narkotike në banesat e kontrolluara, në faza të ndryshme përpunimi. Të gjitha bimët janë asgjësuar përmes djegies në vendngjarje.

Hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa autoritetet janë në kërkim të 10 personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Po ashtu, dy gra janë marrë nën hetim për përfshirje të mundshme në këtë rast.

Top Channel