Mjekët thanë se i penduari Nuredin Dumani nuk ka nevojë për ndërhyrje dhe nuk paraqitet në një gjendje të tille shëndetësore sa duhet të trajtohet në qendrën Spitalore Nënë Tereza.

Burimet konfirmuan për TCH se dëshmitari i mbrojtur që ka hapur 11 dosje në SPAK ndaj krimit të organizuar, është kthyer në qelinë ku mbahet i veçuar nga të tjerët dhe nën masa të rrepta. Analizat e shumta mjekësore të kryera në urgjencë dhe më pas në kardiokirurgji nuk kanë përcaktuar diagnozën se nga çfarë problemesh vuan i mbrojturi i drejtësisë .

Por siç bëhet me dije shqetësimet e tij që raportohen rrahje të shpejta të zemrës deri në humbje të vetëdijes mund të jenë shkaktuar nga stresi por edhe nga ushqimi dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Kjo është hera e dytë që i penduari ka probleme takikardiake shpjegoi një burim pranë drejtorisë së burgjeve, që shtoi se edhe herën e parë mjeket e institucionit penitenciar 313 kanë rekomanduar një kontroll më të detajuar mjekësor në qendrën spitalore.

Burgjet insistojnë se ushqimi që po konsumohej nga i penduari ishte i kontrolluar dhe i dërguar nga familja. Ndërkohë që IML ka hedhur poshtë versionin që ky ushqim të ketë qenë i helmuar.

Të gjitha këto të dhëna janë paraprake, ndërsa i penduari Dumani që e nisi rrëfimin me Plumbin e Artë dhe po flet ndaj kriminelëve që ju shërbeu  është kthyer nga spitali në qelitë që dikur ishin të 41 bissit dhe që tani me kërkesë të SPAK janë kthyer në strehën e të penduarve të SPAK.

Deri tani në këto ambiente të izoluara prej të paraburgosurve të tjerë mbahen 13 të penduar, por Nuredin Dumani e më pas Erjon Alibej konsiderohen si asat e SPAK.

 

Top Channel