Pas hetimit nga SPAK rikthehet në punë, por i diskriminuar/ Bashkia Patosit e izolon dhe e ul në detyrë

07/09/2025 20:07

Që prej 2011 i punësuar në administratë lokale, por dosja e SPAK-ut për shpërdorim detyre i kushtoi shqiptarit me iniciale SH.B qetësinë në punë edhe pas përfundimit të hetimeve.

Vendimi i gjykatës së posaçme të shkallës së parë për korrupsionin dhe krimin e organizuar i caktoi pezullimin nga detyra në mars, e rreth 7 muaj më vonë vendosi shuarjen e masës së sigurisë duke e rikthyer në shtator në punë.

Por rimarrja e detyrës e përballi fierakun, sipas dokumentit denoncues të siguruar nga Top Channel, çdo ditë me një ambient diskriminues.

Një punonjës i bashkisë Patos, në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm është ankuar pranë komisionerit kundër diskriminimit me pretendimin se është trajtuar në mënyrë të diferencuar dhe të pabarabartë në punë, nga kryetari i Bashkisë Fation Duro, për shkak se është marr i pandehur nga SPAK.

“Kryetari i Bashkisë Patos i ka shmangur të gjitha funksionet që unë duhet të ushtroja si Sekretar i Përgjithshëm dhe deri tani detyrat e realizuara nga unë në cilësinë e sekretarit janë zero, pasi qëllimisht nuk më është ngarkuar asnjë detyrë.

Të gjithë nëpunësit e Bashkisë më shmangen dhe nuk raportojnë tek unë sipas ligjit. Që nga data 26 shtator, në mbledhjet që Kryetari i Bashkisë ka organizuar periodikisht në sallën e mbledhjeve me drejtuesit e administratës së Bashkisë, unë nuk jam njoftuar dhe nuk kam marr pjesë në asnjë prej tyre”.

Ai rendit një sërë problematikash që nga momenti i rifillimit të punës si ndryshimi i zyrës, miratimi i një page më të ulët krahasuar edhe me vartësit e tij, mospërfshirja në grupet e Whatsapp të punës apo në komisionet e rekrutimit e ristrukturimit të strukturës së bashkisë, duke e bërë të ndihet i izoluar, i veçuar, madje edhe i anashkaluar për ushtrimin efektiv të funksioneve si sekretar i përgjithshëm, me arsyetimin se diskriminimi ndaj tij ka ardhur prej gjendjes shoqërore.

“Zyra ku unë ushtroja funksionet përpara pezullimit është në katin e dytë të godinës, kat në të cilin ndodhen zyrat e drejtuesve të Bashkisë. Aktualisht zyra ku jam vendosur është në katin e tretë, ndërkohë që zyra ku isha para ka akoma emërtimin ‘Sekretari i Përgjithshëm’, edhe pse unë nuk jam më në atë zyrë. Pagat e reja të propozuara nga ekzekutivi i Bashkisë janë të miratuara me rritje për të gjithë nëpunësit civil.

Duket qartë që në përcaktimin e pagës sime ka një diskriminim të theksuar, pasi ka një trajtim të paktën me 25% deri në 29% më i ulët. Ajo që bien në sy është se unë si nëpunësi më i lartë drejtues kam pagën më të ulët se vartësit e mi, që janë drejtorët e drejtorive , të cilët janë nivel i mesëm drejtues. Paga ime është shumë afër pagës së përgjegjësit të sektorit që është niveli i ulët drejtues”.

Komisioneri në një vendim të 2025 vlerëson se Bashkia Patos ka paragjykuar gjendjen gjyqësore të ankuesit, duke cënuar parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë.

Gjatë shqyrtimit të ankesës nëpërmjet shkëmbimit shkresor, por gjithashtu edhe zhvillimit të një seance dëgjimore ku u përballën palët, komisioneri krijoi bindjen se Bashkia nuk ka zbatuar të njëjtin trend në rritjen e pagave, nuk ka respektuar hierarkinë e funksioneve dhe ka shkelur dinjitetin e ankuesit.

Ndërsa në lidhje me ankesën e pengimit të ushtrimit të detyrës, argumentit të bashkisë se mosushtrimi i përgjegjesive ka qënë zgjedhje e tij”, komisioneri kundër diskriminimit shpjegon se mosangazhimi, përjashtimi, mospërfshirja e ankuesit në ushtrimin e funksionit si sekretar i përgjithshëm është veprim që bie ndesh me ligjin.

Veprimet e punëdhënësit vlerëson më tej, kanë cënuar jo vetëm të drejtën individuale për punë, por edhe interesin publik, përderisa ankuesi paguhet nga taksapaguesit shqiptar. Për këto arsye, komisioneri vendosi konstatimin e diskriminimit në formën e shqetësimit, për shkak të gjendjes gjyqësore të sekretarit të Bashkisë Patos.

Top Channel