Londra i dha dritën jeshile kërkesës të Shqipërisë për të ekstraduar një person i dënuar në mungesë nga gjykata e Elbasanit për plagosje dhe armëmbajtje pa leje.

Top Channel sipas dokumenteve të gjykatës së ekstradimeve në Londër mëson se Mikel Hoxha e ka humbur betejën ligjore të bllokimit të ekstradimit drejt Shqipërisë.

Gjykatësi çështjes e dërgoi rastin e të riut nga Gramshi për firmën e sekretares së re të punëve të brendshme Shabana Mahmood.

Në këtë dokument tregohet se  ndaj Mikel Hoxhës Interpol Tirana ka lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar pasi më datë 6 qershor 2018, në qytetin e Gramshit, në ambientet e Hotel Tomorrit, me dashje dhe në mënyrë të paligjshme i shkaktoi  dëmtime të rënda trupore Admir Harunit.

Si akuzë e dytë ndaj tij rëndon posedimi dhe përdorimi i një arme zjarri pa leje.

Menjëherë pas ngjarjes Mikel Hoxha do të largohej nga territori i Shqipërisë dhe kishte zgjedhur si vend fshehje Uellsin ku u arrestua për llogari të Interpol Tiranës një vit më parë.

Gjykata e Shkallës së parë Elbasan në 23 prill 2021 e kishte dënuar Mikel Hoxhën me 17 vite burg pasi  e gjeti fajtor për akuzat e  “Vrasjes me paramendim” mbetur në tentativë dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit.”

Disa muaj më pas në Dhjetor 2021 gjykata e atëhershme e Apelit në Durrës, pavarësisht kundërshtimit të prokurorisë i hoqën 13 vite burg duke e dënuar me vetëm 4 vite vuajtje dënimi.

Gjyqtarët e Apelit Durrës, vendosën ti ndryshojnë të dënuarit, Mikel Hoxha, kualifikimin ligjor të veprës penale nga “Vrasje me paramendim” mbetur në tentativë në “Plagosje e rëndë me dashje.

Prokuroria për këtë rast ka depozituar një rekurs në Gjykatën e Lartë, duke kërkuar dënimin e Mikel Hoxhës me 17 vite burgim.

Top Channel