Operacionet izraelite godasin ndërtesa të larta në Gaza, civilëve iu bëhet thirrje për evakuim

06/09/2025 22:46
Getty Images

Ushtria izraelite shkatërroi një ndërtesë shumëkatëshe në Qytetin e Gazës, kullën e dytë të madhe që ka shënjestruar.

Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, postoi një video të ndërtesës që shembej në X, me mbishkrimin: “Po vazhdojmë”.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF), të cilat kanë zgjeruar operacionet në Gaza, thanë se Kulla Sussi po përdorej nga Hamasi – një pretendim i mohuar nga grupi militant. Kulla Mushtaha, e vendosur në perëndim të Qytetit të Gazës, u shkatërrua të premten.

Sussi është ndërtesa e dytë e lartë që rrënohet. Përpara sulmit të së shtunës, Izraeli hodhi fletëpalosje duke përsëritur thirrjet për palestinezët që të zhvendosen në atë që e quan një zonë humanitare në jug.

Në një postim në mediat sociale, zëdhënësi i IDF u bëri thirrje banorëve të “bashkohen me mijëra njerëz që kanë ikur tashmë” në al-Mauasi – një zonë midis Khan Younis dhe vijës bregdetare.

IDF ka nxitur vazhdimisht civilët të zhvendosen atje, duke thënë se do të ofrohet kujdes mjekësor, ujë dhe ushqim.

Megjithatë, OKB ka thënë se kampet me tenda në al-Mawasi janë të mbipopulluara dhe të pasigurta, dhe se spitalet jugore janë të mbingarkuara. Të martën, pesë fëmijë u vranë ndërsa prisnin në radhë për ujë në al-Mauasi.

Dëshmitarët thanë se ata u goditën nga një dron izraelit, një incident për të cilin IDF tha se ishte “nën hetim”. Imazhet satelitore tregojnë se disa lagje janë rrafshuar nga sulmet dhe prishjet izraelite gjatë muajit të kaluar.

 

Top Channel