
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur masë të përkohshme përmes së cilës ua ndalon deputetëve të ndërmarrin veprime si dhe ndalon zhvillimin e ndonjë procedure për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Masa do të jetë në fuqi nga 5 shtatori deri më 30 shtator.
Gjykata Kushtetuese vendosi të caktojë ex officio dhe sipas kërkesës së parashtruesve masën e përkohshme përmes të cilës ndalohet çdo veprim i deputetëve të zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe çdo procedurë për formimin e Qeverisë, të urdhërojë që masa e përkohshme hyn në fuqi më 5 shtator 2025, në kohëzgjatje deri më 30 shtator 2025″, sipas kërkesës së deputetëve të Listës Serbe dhe deputetit nga komuniteti goran Adem Hoxha.
Kushtetuesja tha se e pranoi kërkesën për masë të përkohshme, sepse ajo i shërben “evitimit të rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe është në “interes publik”.
Nëntë deputetët e Listës Serbe dhe deputeti goran, Adem Hoxha iu drejtuan Kushtetueses me kërkesë më 30 gusht, lidhur me votimin për nënkryetarin serb në Kuvendin e Kosovës.
Gjykata theksoi se – pa u vlerësuar dyshimet e ngritura nga Lista Serbe për shkelje kushtetuese gjatë seancës së 30 gushtit, kur kryetari i ri Kuvendit, Dimal Basha, e shpalli të përfunduar konstituimin e Kuvendit pa u zgjedhur nënkryetari serb – “është e domosdoshme që të ndalohen të gjitha veprimet e mëtejme drejt zgjedhjes së Qeverisë dhe vazhdimit të punës së Kuvendit”.
Ajo shtoi se masën e vendosi “në mënyrë që të mos cenohet rendi juridik dhe demokratik në Republikën e Kosovës”.
Ankesa e Listës Serbe – që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – erdhi pasi Basha, i hodhi në votim ndaras kandidatët për nënkryetarë të Kuvendit nga komuniteti joserb dhe serb.
Përfaqësuesja nga komunitetet joserbe, Emilija Rexhepi, u zgjodh nënkryetare e Kuvendit. Por, procesi ngeci kur erdhi puna te zgjedhja e nënkryetarit nga komuniteti serb.
Lista Serbe, e cila në Kuvend ka 9 nga 10 vendet e rezervuara për serbët, këmbënguli ta propozonte Sllavko Simiçin. Megjithatë, ai nuk arriti të siguronte 61 votat e nevojshme as pas tri rundeve të votimit.
Pasi Lista Serbe nuk pranoi të propozonte dikë tjetër për nënkryetar, Basha vendosi të hidhte short, sipas Rregullores së punës së Kuvendit, për të nxjerrë një emër tjetër nga komuniteti serb.
Përveç të gjithë deputetëve të Listës Serbe, për këtë post u propozua edhe Nenad Rashiç nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, aktualisht ministër në detyrë në qeverinë e Albin Kurtit.
As Rashiç nuk i mori votat e nevojshme.
Pasi të gjithë deputetët serbë u hodhën në votim nga tri herë dhe dështuan të zgjedheshin në postin e nënkryetarit, Basha në mënyrë të njëanshme mbylli seancën konstituive dhe deklaroi se Kuvendi është konstituuar.
Vendimi i Kushtetueses u publikua dy ditë para se Lëvizja Vetëvendosje – partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit – të mbajë Këshillin e Përgjithshëm, ku pritet ta rikonfirmojë Albin Kurtin si mandatar për kryeministër.
LVV-ja ka këmbëngulur që Kuvendi është konstituuar, vlerësim që është kundërshtuar nga partitë e tjera parlamentare.
Top Channel