
BDI ka reaguar pas deklaratës së Latif Arifit, njërit prej koordinatorëve të kabinetit të kryeministrit të Maqedoninë e Veriut.
Arifi ka hedhur akuza ndaj BDI-së duke shkruar “ngjarjet e fundit e nxjerrin në shesh fytyrën e kalbur të BDI-së.
Një propagandë e orkestruar nga gebelsi i saj në azil, e dirigjuar nga pinjollët e tij, e përforcuar nga makineria e Ramës dhe megafonat e tij në Tiranë e Shkup. Prej javësh janë në ofensivë të tërbuar kundër VLEN, duke shpikur inskenime, provokime dhe shpifje të neveritshme”.
“Makineria e Ramës dhe gebelsi i BDI-së nuk e ndalin dot dinjitetin shqiptar! Ngjarjet e fundit e nxjerrin në shesh fytyrën e kalbur të BDI-së.
Një propagandë e orkestruar nga gebelsi i saj në azil, e dirigjuar nga pinjollët e tij, e përforcuar nga makineria e Ramës dhe megafonat e tij në Tiranë e Shkup. Prej javësh janë në ofensivë të tërbuar kundër VLEN, duke shpikur inskenime, provokime dhe shpifje të neveritshme.
Nga “gomat e shpura” për gazetarë, te nxitja e urrejtjes ndëretnike dhe shtrembërimi i deklaratave publike, çdo veprim mban vulën e kësaj propagande të zezë.
Pikërisht kështu ndodhi edhe me fjalët e shefit të shtabit të VLEN-it, Adnan Azizi, të cilat u përdorën qëllimisht jashtë kontekstit nga një gazetar që luan rolin e zëdhënësit të BDI-së. Por kush e njeh Adnan Azizin, e di qartë integritetin, maturinë dhe përkushtimin e tij. Ai është një njeri që flet me përgjegjësi dhe asnjë shtrembërim propagandistik nuk mund ta njollosë.
Në anën tjetër, pamja e Ali Ahmetit në Shkup, me buzë që i dridheshin nga frika, është fotografia më e qartë e panikut që ka kapluar BDI-në. Ironia therëse është kjo: ata që për 20 vjet blenë vota e mbajtën pushtetin me shantazhe, sot guxojnë të akuzojnë VLEN.
Por shqiptarët nuk i hanë më këto fora. Ata e dinë kush ua ka marrë frymën e shpresës dhe kush ua jep sot zë e dinjitet. Sepse siç thotë populli: “Kur i mbarohet fuqia, i frikësuari shpif më shumë.”
Prandaj vazhdoni kështu! Nuk na zbrapsni dot. VLEN nuk lufton për pushtet, por për dinjitetin e shqiptarëve dhe këtë nuk e ndal askush.
Fuqia e VLEN do të shihet shpejt, në çdo votë dhe në çdo zemër shqiptari!”, ka shkruar ai.
BDI e konsideron turp dhe alarmuese deklaratën, duke theksuar se “një nga koordinatorët kombëtarë për komunikim dhe media në kabinetin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i paguar me paratë e qytetarëve, e ka kthyer misionin e tij kryesor në sulm të pandërprerë ndaj Tiranës zyrtare dhe institucioneve shqiptare”.
“Është e turpshme dhe njëherazi alarmuese që një nga koordinatorët kombëtarë për komunikim dhe media në kabinetin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, i paguar me paratë e qytetarëve, e ka kthyer misionin e tij kryesor në sulm të pandërprerë ndaj Tiranës zyrtare dhe institucioneve shqiptare.
Një funksionar që paguhet me rrogë nga Zyra e Kryeministrit, në vend që të ndërtojë ura bashkëpunimi, përdor gjuhën e fyerjes, të përçarjes dhe të sulmit të hapur ndaj shtetit shqiptar dhe partnerëve tanë strategjikë. Kjo nuk është më thjesht një dalje e pakontrolluar e një individi të vogël, por është një provë e qartë politike që ngre pyetje serioze për vetë Qeverinë:
A është ky qëndrimi zyrtar i Mickoskit ndaj Tiranës? Janë këto fyerje dhe shpifje produkt i linjës shtetërore të kabinetit të tij?
Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut nuk do të pranojnë kurrë që njerëz të punësuar në institucione shtetërore të shndërrohen në megafonë të VMRO-së për të hedhur baltë mbi Shqipërinë dhe mbi institucionet shqiptare.
BDI ka qenë dhe mbetet ura e bashkëpunimit me Tiranën, Prishtinën dhe partnerët ndërkombëtarë. Për këtë arsye, kërkojmë qartësi dhe përgjegjësi: A flet ky koordinator në emër të Qeverisë? Nëse jo, pse Mickoski e mban në zyrën e tij dhe e lejon të flasë në emër të shtetit?
Shqiptarët meritojnë përgjigje të drejtpërdrejta, jo heshtje të qëllimshme”, shkruhet në postimin e BDI.
Top Channel