“Ta bëjmë pronar prurësin e rrushit prej çeliku”, Rama ironizon zaptimet e hapësirave publike: U shpërnda në gjithë Shqipërinë si një mortje

04/09/2025 13:22

Kryeministri Edi Rama ironizoi këtë të enjte zaptimin e hapësirave publike nga biznesmenët.

Pas çlirimit të plotë të hapësirave publike, kreu i qeverisë theksoi se në plan është afrimi shumë më tepër natyrën.

“Një gjë tjetër që dua të theksoj dhe kjo është e fundit, është domosdoshmëria që të gjithë ne së bashku dhe qeveria do jetë shumë e fokusuar tek kjo pjesë, duhet të qëndisim fustanin e gjelbër të Shqipërisë në të gjitha pjesët ku e kemi shqepur dhe ku e kemi bërë copë – copë duke harruar që bukuria dhe hiret e Shqipërisë janë aseti më i madh që nuk ka kopje kolone antike në hotelin e radhës që mund ta konkurrojë. Luksi i Shqipërisë është ky, është bukuria e vet, luksi i Shqipërisë është tradita e vet. Turizëm luksi bëhet duke e kthyer natyrën dhe duke i kthyer bukuritë e natyrës në asete për të rritur çmimin.

Dhe këtë gjë do ta shohim në të gjitha përmasat, që nga rrugët kombëtare ku ka filluar lirimi i buzë rrugëve në një përmasë të caktuar, dhe ku do të vazhdojmë më pas me gjelbërimin e tyre, nga krijimi i fidanishteve, në tokat buzë rrugëve, ku faktikisht nuk ka ndërtim dhe nuk ka prodhim, te futja e natyrës më shumë në qytet, hapësirat publike që po çlirohen në Tiranë apo në qytete të tjera, duhet t’ia lënë vendin hapësirave ku futet më shumë natyra në qytet, dhe patjetër që tani që po largohen këto të ashtuquajturit ‘pergolata’ kjo do të mbetet në historinë e zhvillimit si një shpikje që u bë në Vlorë, ‘pergolat’ dhe kur njeriu dëgjon ‘pergolatë’ mendon një hardhi plot gjelbërim dhe rrush. Pergolata që lindi në Vlorë është hekur, është hekur, kartonxhesë dhe llamarinë dhe u shpërnda në gjithë Shqipërinë si një mortje dhe jo vetëm u shpërnda si mortje në gjithë Shqipërinë, por u kthye dhe në një argument për të legalizuar ndërtimin e paligjshëm mbi trotuar, duke marrë nga bashkitë një të ashtuquajtur leje për punime të përkohshme, a ku di unë si quhet, neni 7, se e mësova dhe unë nenin 7, që është si neni 55 i agjitacionit e propagandës dikur, një tmerr që ta sjell pseudo-pergolatën poshtë pallatit dhe pastaj bën pronar prurësin e rrushit prej çeliku. Kjo është ajo që ka ndodhur.

Tani, mbas heqjes së tyre, duhet të sjellim shumë më tepër natyrën dhe si fillim, cilido që do vërë një karrige jashtë, do duhet të kontribuojë me një pemë. Pastaj dhe një sërë rregullash të tjera që do t’i bëjmë publike.

Këto janë pak a shumë ato që kisha për të thënë dhe patjetër që gjithë kjo histori ndërtimesh dhe zhvillimesh pa leje, sjell si nevojë edhe një reformim të inspektorateve të policive. Policitë bashkiake dhe IMT-të janë disfunksionale, duhet të reformohen, duhet të kthehen në shërbime bashkiake, por me standarde dhe me kritere që certifikohen nga Akademia e Sigurisë, apo nga Universiteti sepse janë bërë vende qokash të tmerrshme dhe është e paimagjinueshme që të vazhdojë kështu, dhe nuk do vazhdojë kështu ashtu sikundër, edhe gjithë përpjekja për këtë që e quajta qëndisje të fustanit të Shqipërisë, do të vazhdojë duke përmirësuar nga pikëpamja infrastrukturore dhe plazhet patjetër, siç po bëjmë në Durrës ku kemi një projekt që do të jetë shumë mbresëlënës me zgjerimin e plazhit të Durrësit, duke marrë nga deti një sipërfaqe prej 100 metrash plus në thellësi dhe me një riarredim të plazhit ku do të rikthejmë pishat si pjesë e një historie që nuk duhet të mbetet thjesht një arsye për tu keqardhur”, tha Rama.

Top Channel