
Oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit (NCA) në Britaninë e Madhe kanë zhvilluar një sërë bastisjesh në Birmingham dhe Dudley, duke shkatërruar disa “shtëpi bari” dhe sekuestruar sasi të konsiderueshme droge dhe para cash.
Sipas komunikatës së NCA-së, të cilës i referohet Top Channel, operacioni ishte pjesë e një hetimi më të gjerë për krimin e organizuar dhe emigracionin ilegal. Në një nga shtëpitë e kontrolluara në Corser Street, Dudley, oficerët gjetën afër 80 bimë kanabisi, me një vlerë rreth 80 mijë paund.
Gjatë bastisjeve në disa adresa të tjera në Birmingham, u arrestuan gjithsej gjashtë persona. Në një banesë në Cornbrook Road u ndalua një 34-vjeçar shqiptar, ndërsa një 29-vjeçare dhe një 21-vjeçar u ndaluan për shkelje të ligjit të emigracionit. Në të njëjtën shtëpi u sekuestruan rreth 50 mijë paund cash dhe 20 kilogramë kanabis në papafingo.
Në një tjetër bastisje në Fountain Road, një 31-vjeçar u arrestua për kultivim kanabisi, konspiracion për shpërndarje të lëndëve narkotike dhe pastrim parash. Ai dyshohet se ka lidhje me shqiptarin 34-vjeçar të ndaluar më parë.
‘Goditja’ më e rëndë erdhi në Warstone Lane, ku u zbulua një sasi prej dy kilogramësh kokainë. Dy të rinj, 23 dhe 25 vjeç, u arrestuan nën akuzën e posedimit të drogës së klasit A me qëllim shitje.
Në një adresë tjetër në Pumphouse Way u gjetën pajisje për kultivimin e drogës në një kasolle në oborr, ndonëse në vendngjarje nuk kishte persona të pranishëm.
Shefi i degës së NCA-së, Saju Sasikumar, tha se kultivimi i kanabisit dhe krimi i emigracionit janë shpesh të lidhur ngushtë, ku persona që ndodhen ilegalisht në vend shfrytëzohen dhe detyrohen të punojnë për të shlyer borxhet e udhëtimit. “Kjo është një goditje e rëndësishme për grupet kriminale të përfshira dhe për rrjetet e shpërndarjes në rrugë,” u shpreh ai.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Policinë e West Midlands, përkatësisht Njësinë për Luftën kundër Kanabisit.
Top Channel