
Policia e Shkodrës ka vënë në pranga dy shtetas, babë e bir, të shpallur më herët në kërkim, për një plagosje të rëndë të ndodhur disa javë më parë në sheshin “Prek Cali”.
Në pranga kanë rënë shtetasit me iniciale:
-V. D., 43 vjeç, banues në fshatin Grudë, i akuzuar për veprën penale “Shtytja e të miturve në krim”;
-Djali i tij 16-vjeçar, i akuzuar për veprat penale “Vrasje me dashje” në tentativë, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
Njoftimi:
Kapen dhe ndalohen 2 shtetas (babë e bir) të shpallur në kërkim për një plagosje të kryer disa javë më parë.
Gjendet në banesën e tyre dhe sekuestrohet thika që dyshohet se është përdorur për plagosjen.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, si rezultat i kontrolleve intensive, kanë kapur dhe vënë në pranga shtetasit:
-V. D., 43 vjeç, banues në fshatin Grudë, për veprën penale “Shtytja e të miturve në krim”;
-djalin e tij 16 vjeç, banues në fshatin Grudë, për veprat penale “Vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Këta shtetas ishin shpallur në kërkim pasi dyshohet se më datë 20.07.2025, në sheshin “Prek Cali”, janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta me shtetasin P. G., 33 vjeç, dhe gjatë konfliktit, 16-vjeçari, në bashkëpunim me vëllanë e tij 14 vjeç, ka goditur me thikë 33-vjeçarin.
Veprimet procedurale për 16-vjeçarin dhe për 14-vjeçarin (pa përgjegjësi penale për shkak të moshës) janë kryer duke respektuar Kodin e Drejtësisë për të Mitur.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel