“Ksamili, plazh i dhunuar”/ Rama: S’mund të jetë më pre e injorantëve që e shohin si tokë për t’u pushtuar, ku rrezikon të të penetrojë gozhda e ndryshkur

04/09/2025 12:58

Ksamili, për kryeministrin Edi Rama, është shembulli më i keq, kur bëhet fjalë për menaxhimin e plazheve në vendin tonë.

Rama e quajti Ksamilin një plazh të dhunuar, që ka rënë ‘pre e injorantëve që e shohim si një tokë për t’u pushtuar’.

“Nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shohim si një tokë për t’u pushtuar dhe pastaj për t’u sjellë me turistët si të ishin skllevër që mund të hapin dhe shkopin e çadrës në kokë apo të venë çmime që lëndojnë imazhin e turizmit shqiptar. Në tërësi, duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, t’ua heqim nga dora privatëve. Nuk ka më arsye që Ksamili të jetë plazh privat. I lidhur me çmime marramendëse. Dhërmiu s’ka pse të ketë më subjekte që vijnë nga vende të tjera që çmendin dynjanë me muzikën dhe derdhin ujërat e zeza në det. Kryebashkiaku i Himarës e ka dhënë një shembull me çadrat e loguara të bashkisë dhe me një shërbim të pastër, pa salltanete, por pa asnjë stres”.

Rama foli për çmime marramendëse dhe problem me trajtimin e mbetjeve, ndërsa përmendi si rast pozitiv Lezhës, pasi sipas kreut të qeverisë, kjo bashki ka dyfishuar forcat e pastrimit.

“Nuk mund të vendosësh çmime marramendëse për një shezlong vetëm se je ne Ksamil, në një parajsë të natyrës kur nuk ke asnjë kontribut për cilësinë e detit, bukurinë e natyrës. Jo të ofrosh shezlong ku rrezikon të të penetrojë gozhda e ndryshkur.

Bashkia e Lezhës ka pasur një rol kyç për pastërtinë, ka dyfishuar forcat e pastrimit përmes operacionit të plazheve të pastra. Plazhi duhet të jetë në dispozicion të yt, jo të uzurpatorëve. Bashkitë duhet ta konsiderojnë seriozisht që në pjesën e lirë për publikun nuk mund të ketë vetëm rërë, por të ketë shërbim, si ai që ka ofruar Himara”.

Top Channel