
Kryeministri Edi Rama kërkoi që Dhërmiu të kthehet plotësisht në plazh publik.
Sipas kreut të qeverisë, ndotja akustike dhe derdhja e ujërave të zeza në det janë një problem serioz në Dhërmi.
“Dhërmiu s’ka pse të ketë më subjekte që vijnë nga vende të tjera që çmendin dynjanë me muzikën dhe derdhin ujërat e zeza në det. Kryebashkiaku i Himarës e ka dhënë një shembull me çadrat e loguara të bashkisë dhe me një shërbim të pastër, pa salltanete, por pa asnjë stres.
Plazhe si i Durrësit, Shëngjinit apo Velipojës janë të mëdha, nuk mund të jenë 100% të administruara nga bashkia, por duhet të vazhdojnë me praktikat më të mira, t’i përgjigjen asaj që qytetari paguan.
Nuk mund të vendosësh çmime marramendëse për një shezlong vetëm se je ne Ksamil, në një parajsë të natyrës kur nuk ke asnjë kontribut për cilësinë e detit, bukurinë e natyrës. Jo të ofrosh shezlong ku rrezikon të të penetrojë gozhda e ndryshkur.
Bashkia e Lezhës ka pasur një rol kyç për pastërtinë, ka dyfishuar forcat e pastrimit përmes operacionit të plazheve të pastra. Plazhi duhet të jetë në dispozicion të yt, jo të uzurpatorëve. Bashkitë duhet ta konsiderojnë seriozisht që në pjesën e lirë për publikun nuk mund të ketë vetëm rërë, por të ketë shërbim, si ai që ka ofruar Himara“, tha Rama.
Top Channel