Denar Biba është tërhequr nga gara për vendin vakant si gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Tashmë kandidatët e kualifikuar për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë në datën 11.12.2024 janë: Alban Toro, Alma Faskaj, Asim Vokshi, Florian Ballhysa, Genta Tafa Bungo dhe Naureda Llagami.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me pjesëmarrjen e anëtarëve të tij dhe anëtarëve zëvendësues, si dhe të përfaqësuesve të ftuar sipas pikës 2 të nenit 233 të Ligjit nr. 115/2016, zhvilloi ditën e enjte, më datë 04.09.2025, mbledhjen e radhës, sipas rendit të ditës të bërë publik në njoftimin e datës 30.08.2025.

Gjatë kësaj mbledhjeje, KED shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturës dhe vendosi:

Përfundimin e procedurës së verifikimit të z. Denar Biba për vendin vakant të gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese, të shpallur nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë në datën 11.12.2024, për shkak të tërheqjes së tij nga kandidimi.

KED njofton gjithashtu se ka përfunduar fazën e verifikimit të kandidatëve për vendin vakant të zj. Holta Zaçaj, për të cilin Gjykata e Lartë është organ emërtese. Gjatë kësaj faze, Këshilli ka verifikuar përputhshmërinë e kandidatëve me kriteret ligjore dhe kushtetuese, duke vlerësuar dokumentacionin, pasurinë, integritetin e figurës dhe përvojën profesionale.

Pas përfundimit të verifikimit, procesi kalon në fazën që përfshin vlerësimin, pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve sipas kritereve të përcaktuara në ligj dhe rregulloret e KED. Ky vlerësim synon të sigurojë një proces të drejtë, transparent dhe objektiv, duke garantuar që kandidatët më të kualifikuar dhe me integritet të përfaqësojnë standardet më të larta profesionale dhe etike në Gjykatën Kushtetuese.

KED siguron se do të vazhdojë zbatimin korrekt të të gjitha fazave të përzgjedhjes, duke respektuar plotësisht procedurat ligjore dhe duke ruajtur objektivitetin në përzgjedhjen e kandidatëve”, sipas njoftimit të Gjykatës së Lartë.

Top Channel