
250 lekë do të paguajë çdo shofer/e automjetesh për të kaluar tunelin e Llogarasë, duke nisur nga ky muaj.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh se tarifa është caktuar në bazë të një analize të thelluar.
Në fjalën e saj në eventin “Shqipëria Turistike 2030”, Balluku tha se gjatë tre muajve të verës, kur kalimi në tunel bëhej pa tarifë, kanë kaluar rreth një milionë automjete.
“Nga 1 qershori deri në 31 gusht nga tuneli i Llogarasë kanë kaluar 911.952 automjete. Përmes një analize të gjerë dhe shumë të thellë të kostove operacionale, çmimi i një kalimi në tunel për autoveturat është 25o lekë me TVSH. Kategoritë e tjera do të kenë çmime të posaçme”.
Megjithatë, sipas ministres, ‘rekordin’ për numrin më të lartë automjeteve në tunel, e ka tuneli i Murrizit.
Kisha shpresa që tuneli i Llogarasë do të ishte ajo pjesë e infrastrukturës, e cila do të kishte qenë kurora e diamantit të infrastrukturës shqiptare. Prisja ato shifrat që të më thonin që duhet të hapësh edhe tubin e dytë sezonin tjetër se ka filluar trafiku në fundjavë. Por, në vend që të më vinte tuneli i Llogarasë, shifra më e lartë e këtij sezoni vjen nga tuneli i Murrizit”, u shpreh zv.kryeministrja.
Më tej, ajo u shpreh se janë evidentuar segmentet me trafik të rënduar në vend dhe një ndër to është segmenti i daljes nga Tirana në drejtim të Elbasanit. Për këtë ka një zgjidhje, theksoi Balluku dhe ajo është ndërtimi i bypass-it prej 3 kilometrash.
“Kantierët janë brenda skedulës, dorëzohen para afatit konteraktual, gjatë vitit të ardhshëm do dorëzohen Berat-Bllabani apo segmente të autostradës Tiranë- Durrës. Gjatë këtij vitit ne kemi qenë shumë të kujdesshëm për të parë se cilat janë problemet kryesore të trafikut. Kemi identifikuar pjesën e daljes nga Tirana në drejtim të Elbasanit, ku tashmë s’ka trafik vetëm ditën e premte në darkë apo të shtunën paradite, por ka gjatë gjithë javës, për këtë arsye Autoriteti Rrugor Shqiptar ka bërë një plan të mirëfilltë dhe ne do të nisim me emergjencë ndërtimin e një bypass-i përfundimtar, i cili është prej 3 km me një nyje me segmentin nga Bradasheshi deri në Lekaj, duke krijuar mundësinë që vitin tjetër gjatë sezonit të mos të kemi më trafik në atë zonë”, tha Balluku.
Balluku njoftoi edhe hapjen për qarkullim të rrugës Qukës- Qafë Plloçë pas një sërë problematikash.
“Projekti Qukës-Qafë Plloçë është një projekt me shumë problematika, me shumë kompleksitete por që falë një pune të mirë që është bërë nga të gjitha strukturat, nesër paradite në orën 11:00 Qukës-Qafë Plloç bëhet totalisht e aksesueshme për automjetet, totalisht e përfunduar dhe me sinjalistikën e vendosur tashmë”.
Top Channel