
Policia greke ka arritur të zbardhë vrasjen e 47-vjecarit nga Gjirokastra, Artur Bashimi, ndodhur mbrëmjen e 18 gushtit në Agio Pantaleimona të Athinës.
Në prangat e policisë greke ka rënë një grek 27-vjecar, i cili rezulton përdorues droge. Siç deklaroi ky i fundit, vrasjen e kreu kundrejt shpërblimit 15.000 euro. Para hetuesve ai tha se nuk e njihte porositësin dhe as e dinte arsyen pse duhet të ekzekutonte Bashimin, por vetëm se urdhri për vrasjen ishte dhënë nga burgu.
Viktima u qëllua me armë në rrugën “Mihail Boda 200” në lagjen “Agio Pantaleimona” në 18 gusht.
Autori i vrasjes ishte i veshur me rroba të errëta, kaskë, xhup motorçiklete dhe doreza në mënyrë që të mos linte gjurmë.
Ai iu afrua 47-vjeçarit dhe e qëlloi një herë në gjoks. Menjëherë pas kësaj, ai u përpoq të tërhiqte përsëri këmbëzën, por arma u bllokua dhe nuk qëlloi. Në vendin e ngjarjes, policia gjeti një gëzhojë të përdorur dhe një fishek të paplasur.
Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022 si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik. Ai është arrestuar sërish më pas në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi.
Artur Bashimi rezulton të jetë vëllai i 38-vjeçarit Marsel Bashimi alias Marsel Shkurtaj alias Marsel Gozhita, person me precedentë të rëndë penalë në Greqi e Shqipëri.
Marsel Bashimi në korrik 2022 u arrestua bashkë me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, si autorë të një ngjarjeje të rëndë me përdorim armësh në Greqi. Jambelli e Leci akuzohen në Shqipëri si autorë të vrasjes së Komisar Artan Cukut.
Burime të reja bëjnë me dije se është arrestuar dhe një bashkëpunëtor i vrasësit. Bëhet fjalë për një tjetër 27-vjeçar grek. Të dy rezultojnë me precedentë për vjedhje kuletash në Greqi./
Top Channel