Skemat piramidale online/ “Ju paralajmërova”, deputeti Braçe: Xuex ka bllokuar paratë e qytetarëve

03/09/2025 11:43

Deputeti socialist, Erion Braçe, vijon të denoncojë rastet e skemave piramidale online.

Në një videomesazh në rrjetin social, Facebook, socialisti i drejtohet qytetarëve duke u thënë se i kishte paralajmëruar.

Ai thotë se Xuex ka bllokuar paratë e shqiptarëve, ndërsa u bën thirrje autoriteteve që të ndërdyjnë urgjentisht.

Reagimi i deputetit të PS, Erion Braçe:

5 ditë – 120 orë nga dita kur Xuex bllokoi tërheqjen e parave nga piramida;

5 ditë – 120 orë nga premtimi i Leo Smith për të ndërtuar një blok-program (siç shkruante) të ri që do ju mundësonte tërheqjen e parave!

Asgjë nuk ka ndodhur!

Ju keni 5 ditë pa mundësinë për të tërhequr paratë tuaja!

U pata paralajmëruar për këtë; piramidat kështu veprojnë, ja ku jemi tani!

Për të gjithë ata që më shkruajnë e më pyesin “a do na lejoni të marrim paratë tona e pastaj mbyllini”, dua të them:

As unë e as kërkush nuk ua mundëson këtë!

Ua thotë Leo Smithi vetë në mesazhet në grupin e Telegramit – vetëm ai, grupi i tij EG, platforma e tij Xuex, Joana, në bashkëpunim me agjentët tuaj,

kanë këtë mundësi!

Janë ata zotëruesit e platformës piramide dhe parave tuaja, askush tjetër!

Ndërkohë nëse doni një këshillë nga unë:

Denonconi pranë autoriteteve grabitjen e parave tuaja, sic qytetarët evropianë bënë pranë autoriteteve të tyre për call center-at me bazë në Shqipëri që i grabisnin;

Bëjeni që autoritet shqiptare në bashkëpunim me ato ndërkombëtare të ndjekin zotëruesit e piramidave!

Asgjë tjetër nuk ka mbetur për t’u bërë!

Paratë tuaja i ka dhe i ka bllokuar, grabitur Leo Smith – Xuex në këtë rast, Txex më parë, Grokr etj!

Top Channel