
Kryeministri Edi Rama foli sot për reformën në sektorin e ujit.
Ai u shpreh se ka pasur investime masive nga ana e qeverisë, teksa mori shembullin e Bashkisë së Vlorës, ku tha se ishte në një situatë të papranueshme.
“Nga ana jonë kemi bërë investime masive nga ana e qeverisë qendrore, flas. Po të shohim hartën sot, nga katër zona që furnizoheshin me ujë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonte afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por ama ndryshe në raport me atë që ishte. Kur volumi i kërkesës për ujë në pikun e sezonit rritet në mënyrë marramendëse, niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm.
Ju sjell shembullin e Vlorës. E nisi sezonin me një situatë të papranueshme të alarmit të zonave të tëra për furnizimin me ujë, nuk është se u bëmë ndonjë investim ato ditë, por thjesht dhe vetëm komandimi me një mision të posaçëm nga Tirana dhe me vëmendje të posaçme nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës, administrimi solli një përmirësim të situatës dhe hoqi ankthin dhe ndjesinë e emergjencës, alarmin që s’kemi ujë”, u shpreh Rama.
Top Channel