
Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë gjatë prezantimit të reformës së shpërndarjes së ujit ka zbuluar të dhënat lidhur me furnizimin me ujë të pijshëm nga viti 2013 deri më sot.
Gjatë fjalës së saj, Balluku tha se në krahasim me vitin 2013 kur kishte vetëm 4 zona urbane që furnizoheshin 24 orë me ujë të pijshëm, ndërsa sot janë 56 të tilla.
Ajo shtoi se gjithashtu janë 98 zona rurale që furnizohen 24 orë me ujë të pijshëm.
“Në vitin 2013 furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë ka qenë vetëm në 4 zona urbane. Sot kemi 43 zona urbane të furnizuara me ujë në 24 orë dhe kemi 13 kantiere, duke e çuar në 56 zona urbane me furnizim 24 orë.
Sot kemi 98 zona rurale me furnizim 24 orë dhe nga ana tjetër kemi 45 kantiere urbane të cilat janë duke u përfunduar. Na mbeten 16 zona dhe kur po bënim prezantimin strisha thoshte 100% por kërkova shifrën e saktë sepse do thonin që po bëjmë premtim.
Pra kemi edhe 16 zona urbane për të përfunduar të gjithë këtë proces të gjatë. Zonat që kemi lart janë 43 dhe kemi për të hapur edhe 16 zona, ne themi urbane por nuk janë në zona qendrore. Themi 72 zona urbane të përfunduara. Këto janë shifrat që flasin vetë”, tha Balluku.
Gjatë fjalës së saj ministrja nënvizoi nevojën për reformë të thellë në sektorin e ujësjellësit.
Ajo theksoi se faza e dytë e reformës konsiston në krijimin e Operatorit të Ujit, një strukturë që do të sigurojë menaxhim më të qartë, furnizim cilësor dhe adresim të problematikave nga thelbi, duke aplikuar modelin e suksesshëm të energjisë në sektorin e ujësjellësit.
“Në vitin 2021 nisëm një reformë të thellë. Qëllimi dhe përmbajtja e fazës së parë është përmbyllur duke na vënë para një përgjegjësie të re, e cila kërkon një reformim të thellë, hapjen e fazës së dytë e cila konsiston në krijimin e operatorit të ujit në Shqipëri. Nuk është se do të shpikim rrotën. Sot kemi një skemë të qartë të funksionimit të kompanive që ofrojnë shërbimet jetike, që duhet të aplikohet edhe në sektorin e ujësjellësit. Krijimi i një Operatori i prodhimit të ujit do të na çonte në një nivel tjetër. Duhet kapur problematika nga thelbi”, theksoi ministrja Balluku.
Top Channel