Berisha komenton kritikat e Ramës për ndërmarrjet e Ujësjellësve: Kush i mbushi me militantë dhe të paaftë, opozita?

03/09/2025 13:40

Kreu i PD, Sali Berisha komentoi kritikat e kryeministri Edi Rama për kryebashkiakët gjatë prezantimit të reformës së ujit.

“Çdo ditë fatmirësisht që vijnë me miliona turistë, çdo ditë e më keq paraqitet si vendi i mungesës së madhe të ujit, ndonëse vendi më me ujëra në Evropë, pasi shpenzoi 400 milionë dhe quajti reformë e të gjitha reformave atë të plehut, u katandis si gjel mbi pleh duke paraqitur një alternativë pa djegës dhe incneratorë, flakët e djegësit të Tiranës do ta djegin gjithë jetën.

Pasi shkriu këshillin dhe emëroi veten kreun e këshillit kombëtar të ujit tani mesa duket do ta marrë përsipër që paratë e ujësjellësve t’i vjedhë vetë dhe jo kryetarët. Kush i mbushi me militantë dhe të paaftë, opozita? Shteti po copëtohet në mënyrë të pashmangshme, po reduktohet në një person që beson se ka të gjitha aftësitë, s’është gjë tjetër veç një hajdut që s’ka asnjë haber. T’i heqësh atributet bashkive, do të thotë që je njeriu më i pangopur”, tha Berisha.

Ish kryeministri gjithashtu komentoi çmimet në vend, ku theksoi se rroga minimale nuk rritet, kurse çmimet janë stratosferike.

“Nuk është çudi që të shpërthejë morri dhe zgjebja me këto çmime”, ua shpreh Berisha.

“Në qoftë se nga viti 2023 në vitin 2025, rroga minimale nuk janë rritur, thotë Eurostat- mos dëgjoni gënjeshtrat e Edi Ramës dhe INSTAT-it të Edi Ramës- nuk janë rritur thotë, çmimet janë stratosferike. Pyesni ju një amvisë, shkon dhe blen ilaçin për lavatriçe 35 euro pakon, në një kohë kur në Gjermani DASH shitet me 17-18 euro. Shkoni blini djathin. Jo, pse mora këtë, ju garantoj se me këto çmime, do plasë morri në të katër anët e vendit. Dhe zgjebja. Kush është ai që mund të lajë? Kjo është një çmenduri mo. Në qoftë se ti e shet ilaçin larës me 35 euro… Domethënë, çfarë do hanë njerëzit nëse blejnë në këtë mënyrë.

Jo, nuk e dini ju këtë. Kthehemi në vitin 1992. Shqipëria përjetoi epideminë e zgjebes në mbarë vendin. Nuk mund ta blejë ai më. 35 euro për një DASH pluhur.  Shikoni djathin, e keni tre herë më shtrenjtë se në SHBA. E keni dy herë e gjysmë më shtrenjtë se në Greqi. Po këto janë gjërat më elementare. Pra, rroga minimale mbetet ajo, në një kohë kur të gjitha mjetet e higjienës, të gjitha produktet ushqimore rriten mbi mesataret e çmimeve në BE. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Top Channel