“Të debatosh për profilin e ministrave, si të shqetësohesh se cili do jetë fatorino autobusi”, akademiku Fuga për Qeverinë e re: Skizofreni politike nëse do kishte ministër nga opozita

02/09/2025 15:29

Akademiku Artan Fuga, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ka ironizuar profilin e ministrave që do të zgjidhen në Qeverinë e re.

Ai shkruan:

Çfarë s’mund të jetë një ministër sot? (apo dje)

Është për të buzëqeshur kur dëgjon se debatohet se cili do të jetë profili i ministrave të 11 shtatorit. Gjëja më pak e rëndësishme në botë.

Njësoj si të shqetësohesh se cili do të jetë fatorino në autobuzin e Kinostudio-Kombinat sot!

Ç’rëndësi ka!

Nuk mund të jetë në asnjë rast, sikurse e sjellin nëpër gojë, se mund të jetë ministër teknik. Ministër teknik nuk ka. As qeveri teknike nuk ka! Duhet të jesh zero në shkenca politike që të flasësh për qeveri teknike.

As ka pasur, as te ne, as në botë. Qeverisja nuk është kurrë teknike! Ka qeveri të përkohshme, por jo teknike. E keni mësuar gabim.

Një ministër mund të jetë një teknicien i mirë, ta zemë, mjelës lopësh. Por, kur vjen të drejtojë ministrinë e bujqësisë, mjelja e lopëve është një ndër qindra procese, që edhe po t’i dojë nuk i njeh.

Ai do të marrë vendime politike, jo si milen lopët.

Ministre e turizmit mund të jetë një kamariere e dalluar. Por, si ministre, i duhet të marrë vendime, jo të serviri pjatanca me kotoleta mish dhije!

Një ministër, sipas shkencave politike postmoderne, nuk mund të jetë veçse një injorant. Teknikisht flas. Madje, i tillë duhet se, po qe se i mbushet mendja se është edhe i ditur, se e kanë vendosur ministër si të ditur, i vuri flakën sektorit!

Por, në kushtet tona, një ministër nuk mund të jetë as politik.

Pse? Sepse nuk ka identitet politik më vete, nuk bart peshë elektorale të tijën, nuk i takon ndonjë nuance politike në koalicion etj.

Ngjyrat e tij përcaktohen nga ngjyra politike e qeverisë që drejtohet nga kryeministri. Politikë ministri si tip individual apo si grup nuk bën dot. Se ndryshe “varet” në pemën që ka mbjellë vetë.

Një ministër nuk mund të vijë as nga radhët e opozitës. Sapo vjen ministër, ai nuk mund të jetë më opozitar. Madje as ka qenë ndonjëherë i tillë, thjesht tradhton veten.

Thjesht memecit i erdhi goja!

Edhe ministër, edhe opozitar, po të ndodhte, do të ishte jo praku i çmendurisë politike, por një skizofreni e tërë politike.

Unë nuk mendoj se e kemi hak një qeveri skizofrene. Një qeveri nuk mund të jetë teknike, asnjëherë, por skizofrene politikisht patjetër mund të jetë.

Kur një ministër vjen nga dikur opozitar, ai ka të njëjtin emër si më parë, por s’është i njëjti njeri. Njësoj sikur ta zemë të njëjtën fjalë, për shembull “legen”, një herë ta përdorim për enën kur fusim këmbët për t’i çlodhur në ujë të ngrohtë me kripë, dhe një herë tjetër për të quajtur një njeri pa dinjitet: “Ik or legen!” – themi.

Një ministër nuk mund të jetë as Program Inteligjence Artificiale, as edhe Chat GPT, për arsyen e vetme se as kompania e zonjës Murati, as edhe Akademia që e ka futur në gjirin e saj, nuk ka shpikur ende një IA që të ketë qëllime, aq më pak qëllime politike, dhe aq më pak qëllime politike pragmatike.

Madje, sipas meje, kjo s’do të arrihet kurrë!

Ja pra, tani përse nuk do të kemi as ministra politikë, as teknikë, as opozitarë, as ministra Chat GPT.

Por, çfarë do të jenë?

Kjo mbetet për të biseduar njëherë tjetër!

Top Channel