
Një 32-vjeçar me shtetësi suedeze, i cili po qëndron përkohësisht në Dibër, është sulmuar më 31 gusht në mbrëmje në Manastir të Maqedonisë së Veriut.
Ngjarja ndodhi në rrugën kryesore të qytetit, “Rruga e Gjerë” ku disa të rinj rreth moshës 20 vjeç iu afruan dhe tentuan t’i heqnin me forcë bluzën që kishte veshur.
Sipas denoncimit të bërë në polici, bluza kishte simbole që dyshohet se i përkisnin Shqipërisë, çka besohet të ketë qenë edhe arsyeja e sulmit.
Një tifo-grup në Manastir ka reaguar për ngjarjen duke theksuar se “incidenti” nuk ka prapavijë ndëretnike!
“’Suedezi’ që shëtiste me një shqiponjë të stampuar në të gjithë bluzën është provokim i thellë ndaj të gjithëve neve,” thekson grupi në postim.
“Mos krijoni tensione ndëretnike aty ku nuk ka, mos krijoni tensione ndëretnike që nuk do të mund t’i kontrolloni. Në Manastir, “bien” bluzat e të gjithë atyre që i irritojnë manastirasit, dhe do të “bien” edhe më tej! Komitë e balistë, kontrabandistë e vojvodë, debraçanë, kosovarë e grekë – të gjithë ata që janë vërejtur kanë mbetur pa bluza. “Incidenti” nuk ka prapavijë ndëretnike! “Suedezi” që shëtiste me një shqiponjë të stampuar në të gjithë bluzën është provokim i thellë ndaj të gjithëve neve, të cilëve na janë ende të freskëta kujtimet nga para 20 vjetësh. Mos u bëni budallenj – nën atë flamur janë therur HERONJTË TANË TË MANASTIRIT. Manastirasit janë njerëz krenarë. Kushdo që na kërkon, e di ku jemi – salla dhe stadiumi janë shtëpia jonë. MANASTIRI ËSHTË SHTËPIA JONË!!!”, ka shkruar tifo-grupi.
Në lidhje me postimin e grupit ka reaguar analisti i njohur shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“’Çkembariët’ e Manastirit e thanë hapur atë që e përsërisin dekada me radhë dhe që e thonë në emër të elitave të sërbizuara maqedonase. – se ata i irriton çdo simbol shqiptarë.
Gjatë këtyre tri dekadave të kësaj Maqedonie e cila kurrë nuk u pavarësua nga mendësia antishqiptare serbe, qerqet maqedonase e përsërisin për çdo ditë atë qe politikanët shqiptarë shtiren se nuk e dinë dhe nuk e dëgjojnë: se duan Maqedoni pa shqiptarët në të.
Apo nëse janë aty atëherë le të jenë të padukshëm dhe shtetin të mos e ‘ngarkojnë’ edhe me simbolet e tyre etnike.
Dhe nëse maqedonasit prej moti kanë treguar qe duan shtet ku ata do jenë i zoti i shtëpisë e gjithë të tjerët ‘qiraxhi’ kurrë nuk u bë e qartë se çka duan shqiptarët?!
Ku ta dish mbase shumica e tyre edhe besojnë se këtyre të VLEN-it askush nuk u ka treguar se mund të bëhesh edhe ministër dhe materialish të përfitosh shumë, por kur tjetri ta pështynë fytyrën kombëtare ti i ke humb të gjitha”, ka shkruar Mehmeti.
Top Channel