
Kuvendi i Kosovës i konstituar të shtunën, do të duhej t’i hapte rrugë procesit të formimit të qeverisë.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë, pasi konstituimi i parlamentit, duke mos emëruar edhe nënkryetarin nga komuniteti serb, shihet si shkelje e Kushtetutës. Për këtë edhe ekipi ligjor i Presidencës së Kosovës është duke e analizuar procesin, pasi tashmë presidentja Vjosa Osmani do të duhej ta priste mandatarin për formimin e qeverisë nga partia fituese e zgjedhjeve të nëntë shkurtit. Në këto rrethana, njohësit e punës së Kuvendit thonë se presidentja nuk do të duhej të aktivizohej.
“Presidentja nuk mund të aktivizohet aktualisht sepse kemi një kuvend që nuk është konstituar plotësisht edhe sipas aktgjykimit të vitit 2014 edhe sipas të dy aktgjykimeve tani të muajit qershor dhe gusht”, shprehet Naim Jakaj, Instituti i Kosovës për Drejtësi.
E në rast se Presidentja Osmani do ta mandatonte përfaqësuesin e Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, ajo vetë do bënte shkelje kushtetuese.
“Presidentja e ka të ditur se një gjë e tillë është jokushtetuese dhe ajo nuk mund të vazhdojë me procedurat e tjera për formim të qeverisë, sepse e njëjta do të bënte një shkelje tjetër e cila më pastaj do rrëzohej edhe nga Gjykata Kushtetuese”, shton ai.
Për të dalë nga kjo situatë, monitoruesit e punës së kuvendit thonë se duhet të kthehet para votimi i nënkryetarëve nga komuniteteve joshumicë.
“Nevojitet vullnet që me e përsëritë procedurën e votimit për këta dy nënkryetar, të votohen në pako dhe të nis procesi i formimit të qeverisë. Në ndërkohë veprime të tjera të Kuvendit nuk mund të ndërmerren, as vendime e as mbledhje të kryesisë”, thekson Jakaj.
Gjithë procesin e konstituimit të Kuvendit pritet ta sqarojë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, pasi tashmë Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve është ankuar për mënyrën e votimit për nënkryetarëve të komuniteteve pakicë.
Top Channel