Po merrnin ujë në një zonë të sigurt, nëntë persona humbin jetën nga sulmi izraelit në Gaza, mes tyre dhe fëmijë

02/09/2025 18:26

Të paktën nëntë persona, mes tyre pesë fëmijë, kanë humbur jetën pas një sulmi izraelit në zonën al-Mawasi në jug të Gazës, e cila nga vetë Izraeli ishte shpallur si “zonë e sigurt”.

Sipas mjekëve të spitalit al-Nasser, trupat e pajetë të fëmijëve u sollën në morg, ndërsa në vendngjarje mbetën bidonët e ujit të mbuluar me gjak.

Sulmi ndodhi vetëm pak orë pasi Ushtria izraelite u kishte bërë thirrje banorëve të largoheshin nga Gaza City drejt al-Mawasi, në prag të ofensivës së paralajmëruar për marrjen e qytetit. Ndërkohë, Izraeli ka urdhëruar mobilizimin e 60 mijë rezervistëve të rinj dhe ka shtyrë shërbimin për 20 mijë të tjerë. Operacioni, i quajtur “Karrocat e Gideonit II”, parashikon përfshirjen e pesë divizioneve dhe mund të zgjasë deri vitin e ardhshëm.

Në 24 orët e fundit, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, 76 persona janë vrarë nga bombardimet dhe shkëmbimet e zjarrit në të gjithë Rripin e Gazës.

Kriza humanitare sa vjen e përkeqësohet. Vetëm të martën, 13 persona – mes tyre tre fëmijë – humbën jetën nga uria, duke e çuar në 361 numrin e viktimave nga kequshqyerja gjatë 23 muajve të fundit. Organizata ndërkombëtare të ndihmës kanë paralajmëruar se një ofensivë e re në Gaza City dhe shpërngulja e detyruar e afro 1 milion banorëve do të ketë pasoja katastrofike.

Në skenën ndërkombëtare, presioni ndaj Izraelit po rritet. Belgjika shpalli të martën njohjen e shtetit të Palestinës dhe vendosi embargo mbi mallrat e prodhuara në vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor. Përveç kësaj, shpalli persona non grata disa liderë të Hamasit, kolonë të dhunshëm izraelitë dhe dy ministra të ekstremit të djathtë në qeverinë izraelite.

“Ky vendim nuk është kundër popullit izraelit, por kundër politikave që shkelin ligjin ndërkombëtar dhe humanitar,” tha ministri i jashtëm belg Maxime Prévot, duke bërë thirrje edhe për pezullimin e marrëveshjes tregtare të BE-së me Izraelin.

Sipas shifrave më të fundit, të paktën 63,633 palestinezë janë vrarë në Gaza gjatë 23 muajve të luftës, e nisur pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku humbën jetën rreth 1,200 persona në Izrael dhe u morën peng 251 të tjerë.

Top Channel