“NATO po përgatitet për çdo skenar”, Rutte: Rreziku nga Rusia po rritet çdo ditë  

02/09/2025 14:04

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte gjatë një vizite në Luksemburg paralajmëroi se kërcënimi nga Rusia është në rritje të vazhdueshme dhe se asnjë vend evropian nuk është realisht i sigurt, duke përmendur teknologjitë e avancuara raketore ruse.

Ai nënvizoi nevojën për forcimin e ushtrisë ukrainase dhe sigurimin e garancive afatgjata të sigurisë nga SHBA dhe partnerët evropianë, për të parandaluar ndonjë sulm të ardhshëm nga Rusia.

Rutte konfirmoi gjithashtu se NATO po merr seriozisht incidentin e dyshuar të ndërhyrjes me GPS ndaj avionit që transportonte Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fundjavë, duke e cilësuar si një shembull të luftës hibride që Rusia po zhvillon ndaj Perëndimit.

“Ne jemi të gjithë në vijën e parë të rrezikut – qoftë në Tallin, Londër apo Madrid. Diferenca kohore që një raketë ruse të arrijë është vetëm 5 deri në 10 minuta. Nuk ka më ndarje lindje-perëndim – të gjithë jemi nën kërcënim të drejtpërdrejtë,” tha Rutte.

Top Channel