
Ish-presidenti Ilir Meta do të përballet sërish me Gjykatën e Apelit, prej të cilës kërkon që t’i hapë dyert e burgut dhe ta lirojë me një masë tjetër, atë të bllokimit të pasaportës.
Të hënën që vjen, më datë 8 shtator, Gjykata e Apelit do të dëgjojë qëndrimet e secilës palë: nga njëra anë SPAK, i cili në gusht insistoi se ekziston rreziku që Ilir Meta të ndikojë dëshmitarët dhe ndaj duhet mbajtur nën arrest në burg, dhe nga ana tjetër avokatin, që me një sërë argumentesh kërkon lirimin e ish-presidentit. Së pari sepse hetimet janë mbyllur, së dyti sepse nuk ka një rrezik të tillë, dhe më tej sepse klientit të tij po i ndalohet të bëjë punë politike, siç është drejtimi i Partisë së Lirisë.
Por SPAK, që ka ngritur akuza ndaj Metës për korrupsion në tre raste, pastrim parash, fshehje pasurie, ka insistuar gjatë 11 muajve burgosje të ish-presidentit se masa më e përshtatshme është ajo e mbajtjes në paraburgim të ish-funksionarit, i cili prej tetorit 2024, nga 313, ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të përcjellë mesazhet e tij.
“Nga dërgimi i dosjes në gjykatë më 29 gusht, gjykata nuk e ka caktuar ende gjyqtarin paraprak, pasi shorti është ndërprerë për shkak të pushimeve verore dhe për shkak të rikonstruksionit të gjykatës”, raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha.
SPAK thotë se hetimet kanë zbuluar një sërë skemash korruptive, përdorimin e influencës dhe pushtetit politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar. Këto fashikuj, me të pandehur veç Metës edhe deputeten Monika Kryemadhi dhe tre persona të tjerë, gjenden ende në sekretarinë e gjykatës antikorrupsion deri ditën që shorti do të caktojë një gjyqtar.
Jo zyrtarisht, gjykata thotë se shorti është ndërprerë për çdo dosje dhe se brenda javës do të rinisë.
Top Channel