Homazhet për Dhimitër Anagnostin/ Berisha nderon regjisorin, shoqërohet nga bashkëshortja: I pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike

02/09/2025 12:02

Kreu i PD, Sali Berisha mori sot pjesë në homazhet në nder të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti.

“Sot është një ditë e rëndë, ditë zie për artin, filmin, kulturën e shqiptarëve, pasi përcjellin për në banesën e fundit një kolos të vërtetë të gjenisë krijuese artistike të kombit shqiptar. Dhimitër Anagnosti ishte dhe është njëri prej krijuesve, regjisorëve, skenaristëve, shkrimtar më të shquar të vendit.

Lë një trashëgimi në të cilën ai do të jetojë për jetë të jetëve. Anagnosti ishte i pamëshirë në kërkim të përsosmërisë artistike në veprën e tij. Ai, që në vitet ’90 me emrin, reputacionin e tij, i angazhua në mbështetje të përmbysjes së diktaturës dhe forcave demokratike.

Në dy legjislatura ishte deputet i PD dhe ministër Kulture, një personalitet i rrallë, i cili do mbahet mend gjithmonë në memorien e kombit.

Ndaj, dhe njëherë unë shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera Rozës, artistes së mrekullueshme, familjes së tij, miqve, shokëve dhe të gjithë atyre që ndjejnë dhimbje për largimin e tij nga jeta”, tha Berisha.

Sot po zhvillohen homazhet në nder të regjisorit të shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti.

Familjarë, kolegë apo qytetarë kanë mbërritur në Hollin e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Regjisori i shquar shqiptar Dhimitër Anagnosti mbylli sytë përgjithmonë një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.

Kush ishte Dhimitër Anagnosti?

Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno më 23 janar 1936 është një nga regjisorët shqiptarë më të rëndësishëm të shekullit XX.

Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe shkollën unike dhe të mesme të përgjithshme i kreu në Vlorë. Më 1954 – 1960 ndoqi Institutin Kinematografik “VGIK” të Moskës, ku u diplomua për kinooperator.

Së bashku me Viktor Gjikën xhiruan si punë diplome filmin “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i tregimit të Ernest Heminguejt, i cili u vlerësua me Çmimin e Parë në Festivalin Botëror të Shkollave Kinematografike, që u zhvillua në Holandë më 1961.

Filloi punë si operator në Kinostudion “Shqipëria e re” në 1961, me filmin “Debatik” (1961) e më pas me filmin “Toka jonë” (1964). Xhiroi edhe të parin film dokumentar me ngjyra “Gurët dekorativë”.
Filmin e parë si regjisor e realizoi në vitin 1966, së bashku me Viktor Gjikën, “Komisari i dritës” dhe një vit më vonë i vetëm si regjisor filmin “Dueli i heshtur”.

Në karrierën e tij 40-vjeçare ka realizuar 14 filma artistikë, 10 filma dokumentarë, ka fituar mjaft çmime në konkurse të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare. Është autor i 15 skenarëve dhe pothuajse në të gjithë filmat e tij skenarin e ka shkruar vetë.

Anagnosti ishte njeriu i mendimit të lirë, këmbëngulës në mbrojtjen e pikëpamjeve të tij, me një kurajë qytetare, e cila e ka vënë shpesh në shënjestër të mediokërve.

Për cilësitë e tij të rralla artistike, si dhe për veprat e tij dinjitoze është nderuar me titullin “Artist i Popullit”, 1987 dhe me kupën e karrierës në Festivalin e 10të Filmit Shqiptar. Viti 1991 e gjen të impenjuar në lëvizjen demokratike për pluralizmin në Shqipëri, motiv për të cilin zgjidhet edhe deputet i Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë (1991-1996).

Në 12 prill 1992 u emërua ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri në 4 dhjetor 1994, ku dha dorëheqjen.

Anagnosti ishte ideator dhe kryetar i Fondacionit për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, duke mbështetur intelektualët më aktivë, duke u impenjuar në forcimin e kulturës shqiptare në vend e në botë.

Në vitin 2001 shkroi, dhe vuri në skenë në Teatrin Kombëtar dramën e vetme “Nata e trokitjeve në xham”. Ndërsa në vitin 2005 korri sukses me filmin e tij më të fundit “Gjoleka, djali i Abazit”, film i nderuar me dy çmime ndërkombëtare në Itali.

Anagnosti ishte i martuar me aktoren e mirënjohur të skenës dhe ekranit shqiptar, “Artisten e Merituar” Roza Anagnosti.

Top Channel