
Këshilli i Lartë i Prokurorisë u përfshi nga debatet gjatë mbledhjes plenare të së hënës në lidhje me mënyrën se si do të shpenzohej buxheti i vitit 2026, por edhe për pakënaqësi që lidhen me drejtimin.
Duke marrë shkas nga vendimi i kryetares së KLP, Mirela Bogdani për të mos përfshirë në buxhet shlyerjen e detyrimeve që rrjedhin nga një vendim gjyqësor i formës së prerë, prokurori Sokol Stojani kritikoi ashpër mënyrën se si Bogdani po e drejtonte Këshillin dhe prioritetet e vendosura prej saj.
Stojani e akuzoi Bogdanin se kishte ushtruar presion ndaj shefes së Financës për të penguar zbatimin e vendimit të Gjykatës për dëmshpërblimin e ish-sekretares së Përgjithshme. Ai tha gjithashtu se një email i tij kishte mbetur pa përgjigje, ndërsa i ishte bërë me dije se prioritet do të ishin pagat dhe organizimi i disa trajnimeve.
“O Zot! Garantimi i pagave nuk është diskutuar as në ’97-ën! As në ’97-ën! Ky është vizioni,” pyeti Stojani në diskutimin e dokumentuar me audio në faqen e KLP-së.
“Pastaj thotë se do bëjmë parashikime për 15 ‘retreat’-e…, 15? Çfarë jemi ne, agjenci udhëtimi? Si do kthehet kjo, në KLP Travel?”, shtoi ai.
Sipas tij, planifikimi i buxhetit është problem i Këshillit dhe se ka pasur veprime nga kryetarët për të penguar e sfiduar Këshillin. Sipas tij, Bodani nuk arrin të perceptojë gjëra elementare. “Detyra duhet të bëhet në bazë të ligjit”, tha Stojani.
Kryetarja e KLP, Mirela Bogdani nuk replikoi me Stojanin për çështjet që ai ngriti. E pyetur nga BIRN për akuzat, Bogdani tha se Këshilli ka kultivuar tashmë praktikën e diskutimit mes anëtarëve dhe ndarjen e shqetësimeve dhe mendimeve për çdo çështje.
“Diskutimet e reflektuara në media janë pjesë e debateve dhe optikës së gjithsecilit prej anëtarëve, i cili duhet të jetë brenda rregullave të një komunikimi etik dhe profesional. Secili është i lirë të komentojë çdo detaj të buxhetit dhe të votojë pro ose kundër,” tha Bogdani përmes një mesazhi në aplikacionin Whatsapp.
Bogdani sqaroi se takimet e punës [retreat] ishin propozuar për të trajnuar stafin dhe për të zhvilluar procese diskutimi për një listë të gjatë të rregulloreve që i kanë detyrim ligjor, në kuadrin e proceseve integruese në Bashkimin Evropian. Sipas saj, këto takime janë menduar edhe si forume shkëmbimi përvojash me drejtuesit e prokurorive apo edhe prokurorë të tjerë në sistem për çështje të vlerësimit etiko -profesional, komunikimin me median dhe publikun, etikën etj.
“KLP është institucion relativisht i ri dhe stafi apo anëtarët do duhet të marrin pjesë në aktivitete profesionale qoftë edhe me institucione homologe. Deri tani, një pjesë e aktiviteteve janë mbuluar financiarisht nga projekti i BE EU4Justice ose donatorë të tjerë, por në momentin që ata mbarojnë angazhimin e tyre ne do të duhet t’i organizojmë vetë këto aktivitete dhe kjo fillon me parashikimin në buxhet, sipas VKM që specifikon kuotat e dietave të cilat si mund të jeni në dijeni janë minimale dhe të paindeksuara me çmimet e tregut”, tha Bogdani, ndërsa shtoi se bëhet fjalë për parashikime që do të duhet të miratohen nga Ministria e Financave dhe Kuvendi.
Për akuzat e ngritura nga Stojani për ndikim në zyrën e financës, Bogdani theksoi se bëhet fjalë për diskutime me ta dhe kërkesën e saj të përsëritur për të përllogaritur në mënyrë të saktë detyrimin për pagimin e pagës dhe sigurimeve shoqërore për ish-sekretaren e përgjithshme, e cila sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, do duhet t’i paguhet paga deri në kthimin e saj në punë.
“Në tërësinë e saj, seanca kishte karakteristikat tipike të diskutimeve një një organ kolegjial, ku debatet dhe mendimet e ndryshme janë të pritshme. Qëndrimi im, në cilësinë e titullarit të institucionit, mbetet respektimi i ligjit dhe integritetit profesional në ushtrimin e detyrës me përkushtim nga çdo punonjës, në çdo nivel, për të kërkuar më pas te njëjtën qasje edhe nga të tretët”, përfundoi Bogdani. /Reporter.al
Top Channel