24.2% e punonjësve në Shqipëri nuk paguhen, ekspertët: Gratë janë më të pambrojturat, shfrytëzohen ato pa shkollim të mesëm apo të lartë

02/09/2025 20:04

Përqindja e të punësuarve si punëtorë pa pagesë në biznesin familjar është rritur ndjeshëm në vitet e fundit. 24.2% e të gjithë forcës punëtore në vend zihet pikërisht nga kjo kategori, që si zgjidhje shohin punësimin e të afërmve për të mbulaur me krahë pune mungesat apo edhe për të ulur kostot.

Nga mbi 285 mijë shqiptarë që klasifikohen të tillë të punësuar pa pagesë, femrat renditen më të pambrojturat në paga rreth 32.2% e totalit të grave të punësuara. Teksa përqindja e femrave rritet për këtë sektor tek meshkujt nga ana tjetër përqindja është në rënie duke arritur në 17.6%.

“Ky zbulim tregon një ngarkesë të pasigurt që rëndon më tepër gratë duke krijuar një pabarazi gati të harrueshme në vendin e punës dhe në familje”, tha eksperti i tregut të punës, Erion Muço.

Më shumë se gjysma grave janë të moshave 20-64 vjeç dhe me arsim 8-9 vjeçar. Një faktor që tregon edhe shfrytëzimin e tyre si krahë pune.

“Duhet veprim publik dhe institucional për të mbështetur këto grave, duke garantuar që puna e tyre të njihet dhe të kompensohet. Pa masa, barazia mbetet vetëm një ëndërr. Nga ana tjetër oferta dhe pagat në tregun formal të punës zhvlerësohen duke detyruar gratë të kërkojnë punë të dytë apo të ngarkohen psikologjikisht”, u shpreh Muço.

Të vetëpunësuarit në 2024 arritën në 30.1%, ndërsa në drejtimin e një biznesi mbizotërojnë meshkujt. Por puna pa pagesë në këto biznese vijon të shtohet duke ngritur shqetësimin e barazisë dhe mbrojtjes sociale.

Top Channel