
Autoritetet ukrainase dyshojnë për përfshirje ruse në vrasjen e ish-kryetarit të parlamentit, Andriy Parubiy, i cili u qëllua për vdekje në qytetin perëndimor të Lvivit fundjavën që lamë pas.
Kreu i policisë ukrainase, Ivan Vyhivskyi, tha se hetimet paraprake tregojnë se sulmi nuk ishte i rastësishëm dhe se pas tij fshihet një motiv politik me gjurmë të qarta nga Rusia.
“Ne e dimë që ky krim nuk ishte aksidental. Ekziston një përfshirje ruse. Të gjithë do të mbahen përgjegjës para ligjit”, shkroi Vyhivskyi në një postim në Facebook.
Parubiy, një nga figurat më të njohura të politikës ukrainase, ka mbajtur funksione të rëndësishme në shtet, përfshirë edhe atë të kryetarit të parlamentit gjatë viteve vendimtare pas revolucionit të vitit 2014.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy konfirmoi se një i dyshuar për vrasjen u arrestua të dielën vonë, ndërsa hetimet janë ende në vijim për të zbuluar bashkëpunëtorët e mundshëm dhe motivin e saktë të ngjarjes.
Ngjarja ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë e figurave të larta publike në Ukrainë, në një kohë kur vendi ndodhet ende në luftë të hapur me Rusinë dhe përballet me ndërhyrje të vazhdueshme në frontin ushtarak, politik dhe kibernetik.
Top Channel