“Problemi kryesor që ka Evropa është se çfarë drejtimi do të marrë”, Rama: Ose do të thellohet në rrugëtimin e saj, ose do të shpërbëhet në copa

01/09/2025 13:44

Kryeministri Edi Rama i ftuar në diskutimin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e Bashkimit Europian në edicionin e 20- të të Forumit Strategjik të Bledit tha se Evropa ka një problem kryesor.

Sipas Ramës, problemi kryesor në këtë situatë është se çfarë drejtimi do të marrë.

“Ose do të thellohet në rrugëtimin e saj apo shpërbëhet në copa të ndryshme me secilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet”, theksoi Rama.

“Mendoj që problemi kryesor që ka Europa është çfarë drejtimi do të marrë. Do të thellohet në rrugën e saj për tu shndërruar në shtetet e bashkuara të Europës apo do të shpërbehet në copa të ndryshme me gjithsecilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh dhe të dalësh nga ky klub i madh dhe pastaj të kesh ndonjë histori të lavdishme përveçse të bëhesh satelit i dikujt tjetër.

Kjo është ajo pikëpyetja e madhe, përgjigjen e së cilës nuk e kam. Nga ana tjetër, Europa është makineria më e jashtëzakonshme burokratike dhe e administratës që mund të jetë një gjë e mirë, por nga ana tjetër hartimi i tepruar i rregulloreve edhe përpara se diçka të nisë në Amerikë për shembull shpikin OpenAI ndërsa në Europë shpikin rregulloren për momentin që kur dikush të vijë të shkojë në të njëjtin drejtim. Kjo e bën Europën praktikisht më të vështirë si mjedis për biznesin, shumë herë më të artikuluar kur vjen fjala për rregulloren, por ka një ekuilibër që Europa duhet ta gjejë.

Dhe gjëja e fundit që dua të them është që ndërkohë që sheh këtë botë që zhvillohet e lëviz me një shpejtësi të pabesueshme jashtë sferës sonë europiane pyetja që i bën vetes është pse nuk është Europa aty, pse nuk ishte Europa në Tianjin, pse nuk është në Brazil. E kuptoj pse por ndoshta kjo përgjigje duhet përgatitur në një tjetër mënyrë.

Fakti që kemi opinione të ndryshme për mënyrën si jetojmë, nuk është arsye për tu veçuar, për tu mbyllur dhe për të thënë që nëse do të bëhesh mik me ne duhet të jetosh si ne sepse kështu rrezikojmë të kemi gjithnjë e më pak miq dhe në fund të humbasim mënyrën tonë të jetesës.

Pra na duhet ta ruajmë këtë mënyrën tonë të jetesës me krenari dhe me gjithçka mundemi, por nga ana tjetër të jemi shumë herë më të hapur kundrejt botës dhe për të qenë ajo çka Europa ka qenë gjithmonë. Udhëkryqi nga ku kalojnë të gjithë, jo si fortesa ku shihesh me shumë filtra edhe përpara sesa të kesh mundësinë të jesh mik. Duhet të jemi miq njëherë përpara sesa të jemi aleatë strategjikë për luftërat e ardhshme.

Kjo madje do të shmangë edhe luftërat sepse ta shndërrosh Europën nga një projekt paqeje në një projekt lufte, nuk mendoj se është zgjidhja sepse duke qenë 27 shtete dhe duke armatosur e armatosur veten larg qoftë përpara sesa të vijë armiku do të shohim njëri tjetrin për të parë nëse armët tona funksionojnë ose jo. Këtu mund të ketë hapësirë për të reflektuar, por thënë e gjithë kjo pas fjalëve vijnë veprat. Gjithmonë krah Europës, çfarëdo të ndodhë”, tha Rama.

Top Channel