
Disa ditë pas dy aksidenteve rrugore, i pari pranë Ksanthit me viktima 3 shtetas shqiptarë dhe i dyti me dy 16 vjeçarë, pranë Kosturit, mediat greke ngrenë alarmin për përmasat që po merr kjo tragjedi.
Të dhënat e fundit të Institutit Kombëtar të Statistikave tregojnë se çdo 14 orë, një person humb jetën në rrugët e vendit. Vetëm gjatë muajit qershor, u shënuan 74 aksidente me 63 viktima dhe mbi 1.200 të lënduar.
Gjithashtu sipas të dhënave të Komisionit Evropian, Greqia u ngjit në vendin e tretë për aksidente me pasojë humbje jete, pas Rumanisë dhe Bullgarisë, duke shënuar rritje 4% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian ka shënuar ulje prej 3%.Specialistët theksojnë se ligji i ri i qarkullimit rrugor mbetet kryesisht ndëshkues dhe jo parandalues.
Shkaku kryesor i kësaj “plage” lidhet me mungesën e edukimit të drejtuesve që nga vitet e para të drejtimit, por edhe me klimën e pandëshkueshmërisë që mbizotëron në rrugë.
Pas numrave dhe statistikave fshihen histori dhimbjeje: jetë që humbasin, familje që shkatërrohen, ëndrra që ndërpriten. Përveç tragjedisë njerëzore, pasojat e aksidenteve prekin edhe ekonominë, duke frenuar zhvillimin e vendit.
Ekspertët kërkojnë masa të menjëhershme, më shumë kontroll dhe aplikim të rreptë të ligjit, në mënyrë që Greqia të përmbushë objektivin evropian për përgjysmimin e viktimave deri në vitin 2030 dhe vizionin për zero humbje jete deri në 2050.
Kryesorja sipas tyre është ndryshimi i mentalitetit dhe forcimi i kulturës së sigurisë rrugore,në të kundërt thonë ata, tragjeditë në asfalt pritet të vazhdojnë.
Top Channel