“Evropa është si një pacient me 27 mjekë”, Rama në Slloveni: Këta ‘patologë’ duhet të specializohen për të pasur një bashkim

01/09/2025 13:36

Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Slloveni, ku po merr pjesë në edicioni i 20- të i Forumit Strategjik të Bledit.

Ai është i ftuar në diskutimin mbi rolin e shteteve dhe të ardhmen e Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë nuk e kurseu ironinë ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në lidhje me futjen e Shqipërisë në BE.

Ai e krahasoi Evropën me një pacient dhe vendet anëtare me mjekë patologë, të cilët sipas Ramës duhet të specializohen.

Shpresojmë që të tjerët të bien dakord me Martën, Evropa është si një pacient me 27 mjekë, të gjithë patologë, kjo e bën më të ndërlikuar që të trajtojnë problemet që mund të ketë çdo organ, ata duhet të jenë më të lumtur, është një vend shumë i mirë për të gjithë ata që janë aty. Problemet në Evropë lidhen me faktin që bashkimi duhet të jetë më i fortë, këta patologët duhet të specializohen paksa për të pasur një bashkim, ndryshe do të kemi një rënie të pashmangshme”, tha Rama.

Stjepan Oresković, sipërmarrës dhe President i IEDC Bled, Future 500: Shkëlqesia juaj, zoti kryeministër, faleminderit që u bashkuat me ne. Me ju garantohet gjithmonë që do të ketë vëmendje.

Le të nismi me diçka që mendoj se ka rëndësi për të gjithë këtu në sallë për një sërë arsyesh. Kur lexon raporti e Draghit, është një dokument i mirë, por nëse e lexon me kujdes gjen dy gjëra brenda dhe zakonisht gjërat më të rëndësishme janë ato që mungojnë. Ajo çfarë mungon është se raporti nuk e përmend e as edhe njëherë të vetme fjalën sipërmarrës dhe tjetra, një temë tjetër, raporti përmend vetëm njëherë Europën Lindore Qendrore dhe ndërkohë gjatë 10 viteve të fundit Europa Lindore Qendrore ka qenë motori më i fortë i rritjes, duke e tejkaluar në ritëm edhe pjesë të tjera të Europës së paku me 2 herë. Ndërkohë që iu kam dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve, iu kam ndjekur, iu ka lexuar, jemi takuar edhe në 2005-ën në zyrën tuaj kur ju ishit kryetar Bashkie, pyesja veten gjithmonë: Pse politikanët, e po kështu edhe vendet nga Europa Lindore Qendrore janë kaq të “nënshtruar” kur flasin me Brukselin dhe me fuqitë e  mëdha, ndërkohë që ju jeni shembulli i atij që nuk sillet si i nënshtruar dhe në fakt ndonjëherë kam menduar që: “Ky s’do të futet asnjëherë në BE vetëm për mënyrën se si flet me Brukselin. A mund të komentoni për këtë?

Kryeministri Edi Rama: Ajo që më bëtë ishte një pyetje mjaft komplekse por dua të them që kur vjen fjala për ne dhe për mua që përfaqësoj vendin tim, është paksa ndryshe. Për shembull, nëqoftëse kryeministri slloven do të thoshte çfarë mendonte për Brukselin, meqë ra fjala nuk e di fare çfarë mendon, por çfarëdo të mendojë, nëqoftëse e thotë ka shumë për të humbur, ne s’kemi.

Kështu na duhet të jemi shumë të hapur dhe nga ana tjetër përtej asaj çfarë themi dhe asaj çfarë shprehemi, besnikëria jonë nuk është kurrë në dyshim dhe kemi një ide të qartë të madhësisë sonë, të peshës sonë e po kështu edhe të sfidave tona. Si evropianë duam të jemi të lirë e të shprehim lirisht atë çfarë mendojmë, por kur vjen puna që të ndjekim Evropën, ne jemi ndjekës vërtetë besnikë dhe meqë ra fjala, politika jonë e jashtme 100% e harmonizuar me politikën e jashtme të BE prej shumë kohe. Ne as nuk jemi lëkundur dhe as nuk e kemi vënë ndonjëherë në dyshim sepse kur vjen fjala për besnikërinë, jemi disi të verbër dhe kur themi ‘’jemi me ty’’, jemi me ty deri në fund.

Më duhet të besoj kur vjen fjala për këtë që thamë, që raporti e ka parë Evropën si të tërë, nuk ka dashur të ndajë. Kështu dua të besoj por ndoshta e kam gabim. Mendoj që thelbi, kur vjen fjala për të tilla nisma, për nismën tuaj dhe për marrëdhënien tonë me sipërmarrësit ne përgjithësi, me Evropën dhe vendin tonë, ekziston një problem që ka dy shtresa, së pari, problemi i parjes së sipërmarrësve jo si përplotësues, por si në kundërshti me atë që duhet të bëjë qeveria dhe shteti dhe i dyti, që është më edhe më problematik dhe më i rrezikshëm për të ardhmen, është që ndryshe nga SHBA apo realitete të tjera në Evropë nuk jemi mësuar që të kemi një shtet sipërmarrës. Pra në thelb, ne kërkojmë më shumë para nga buxheti, më shumë shpenzime, pastaj më shumë borxhe, pastaj më shumë para, më shumë buxhet, më shumë shpenzime e kështu me radhë. E nëqoftëse ndikohemi pastaj, borxhi është më i madh, ne bllokohemi ndërkohë që duhet t’u japim institucioneve, ministrive, të gjithë pushtetit ekzekutiv, mesazhin se edhe ato duhet të sillen në mënyrë sipërmarrëse dhe duhet të bëhen bashkë me sipërmarrësit e të bëjnë paratë për interesin e tyre, e po kështu edhe institucionet nga ana tjetër, për interesin publik.

Stjepan Oresković: Nuk bie dot më shumë dakord se kaq, sepse shiko, SHBA edhe Kina janë një tjetër histori. Janë konkurrentë, por njëfarësoj e njëjta histori, janë sipërmarrës që janë më të rëndësishmit përveçse kur presidentët nuk i pëlqejnë. Dje, mbrëmë ishim në darkë me Marta Kos dhe ajo përmendi Shqipërinë si nga favoritët reale për t’u bashkuar shumë shpejt me BE-në. Ishim në Chatham House Rules dhe ajo tha që absolutisht do të jetë shumë shpejt. Shkurtimisht , çfarë sillni ju në tryezë si Shqipëri?

Kryeministri Edi Rama: Mund të thoni se kur sepse Marta do që ta bëjë këtë, por le të shpresojmë që të tjerët të bien dakord me Martën kur të vijë momenti dhe kjo nuk është dhe kaq e dukshme sepse në fund të fundit, Evropa është si një pacient me 27 mjekë, të gjitha patologë meqë ra fjala, që e bën edhe më të ndërlikuar, që të trajtojnë problemet që mund të ketë çdo organ. Dua t’u them të gjithë atyre që janë brenda BE, të përpiqen të jenë më të lumtur sepse është një vend shumë i mirë për të gjithë ata që janë aty dhe sigurisht, problemet në Evropë nuk lidhen me faktin që Evropa është një bashkim, por për faktin që bashkimi duhet të jetë më i fortë dhe që shumë gjëra duhet të ndryshojnë. Pra, këta patologët duhet të specializohen paksa; njëri duhet të jetë pastaj kardiologu, tjetri duhet të jetë largqoftë onkologu e kështu me radhë, për të pasur një bashkim tërësor që kujdeset plotësisht për të gjithë organizmin e “pacientit”, në të kundërt do të kemi një rënie të pashmangshme.

Stjepan Oresković: Ne do të donim shumë që të shihnim si ju, si Shqipërinë në Bruksel e në BE ndërkohë që kur po komentonit për martesën dhe për BE, po shihja bashkëshorten time duke qenë se ajo është edhe partnerja ime në kompani dhe kam përshtypjen që bie dakord po kam përshtypjen se martesa jonë është më e mirë se BE-ja…

Kryeministri Edi Rama: sepse ajo është pjesë e kompanisë. Pikërisht kështu, pra, të jesh edhe në kompani, edhe në martesë, e bën kompaninë më të mirë dhe martesën më të mirë sepse kur do që t’i ikësh martesës, shkon në kompani; kur do t’i ikësh kompanisë shkon në martesë. Imagjinoje të jesh në një martesë në një kompani dhe ajo të jetë në shtëpi.

Stjepan Oresković, sipërmarrës dhe President i IEDC Bled, Future 500: Do të ishim edhe pa kompani, edhe pa martesë.

Kryeministri Edi Rama: Kështu që jeni shembulli më i mirë për Europën, sesi të jenë të gjithë bashkë dhe si të jenë të gjithë sipërmarrës.

Stjepan Oresković : Faleminderit! Kjo është një formulë e mirë.

Kryeministri Edi Rama: Mendoj që problemi kryesor që ka Europa është çfarë drejtimi do të marrë. Do të thellohet në rrugën e saj për tu shndërruar në shtetet e bashkuara të Europës apo do të shpërbehet në copa të ndryshme me gjithsecilin që vendos se sateliti i kujt do të bëhet sepse nuk ka shans që të ndahesh dhe të dalësh nga ky klub i madh dhe pastaj të kesh ndonjë histori të lavdishme përveçse të bëhesh satelit i dikujt tjetër. Kjo është ajo pikëpyetja e madhe, përgjigjen e së cilës nuk e kam. Nga ana tjetër, Europa është makineria më e jashtëzakonshme burokratike dhe e administratës që mund të jetë një gjë e mirë, por nga ana tjetër hartimi i tepruar i rregulloreve edhe përpara se diçka të nisë në Amerikë për shembull shpikin OpenAI ndërsa në Europë shpikin rregulloren për momentin që kur dikush të vijë të shkojë në të njëjtin drejtim. Kjo e bën Europën praktikisht më të vështirë si mjedis për biznesin, shumë herë më të artikuluar kur vjen fjala për rregulloren, por ka një ekuilibër që Europa duhet ta gjejë. Dhe gjëja e fundit që dua të them është që ndërkohë që sheh këtë botë që zhvillohet e lëviz me një shpejtësi të pabesueshme jashtë sferës sonë europiane pyetja që i bën vetes është pse nuk është Europa aty, pse nuk ishte Europa në Tianjin, pse nuk është në Brazil. E kuptoj pse por ndoshta kjo përgjigje duhet përgatitur në një tjetër mënyrë.

Fakti që kemi opinione të ndryshme për mënyrën si jetojmë, nuk është arsye për tu veçuar, për tu mbyllur dhe për të thënë që nëse do të bëhesh mik me ne duhet të jetosh si ne sepse kështu rrezikojmë të kemi gjithnjë e më pak miq dhe në fund të humbasim mënyrën tonë të jetesës. Pra na duhet ta ruajmë këtë mënyrën tonë të jetesës me krenari dhe me gjithçka mundemi, por nga ana tjetër të jemi shumë herë më të hapur kundrejt botës dhe për të qenë ajo çka Europa ka qenë gjithmonë. Udhëkryqi nga ku kalojnë të gjithë, jo si fortesa ku shihesh me shumë filtra edhe përpara sesa të kesh mundësinë të jesh mik. Duhet të jemi miq njëherë përpara sesa të jemi aleatë strategjikë për luftërat e ardhshme.

Kjo madje do të shmangë edhe luftërat sepse ta shndërrosh Europën nga një projekt paqeje në një projekt lufte, nuk mendoj se është zgjidhja sepse duke qenë 27 shtete dhe duke armatosur e armatosur veten larg qoftë përpara sesa të vijë armiku do të shohim njëri tjetrin për të parë nëse armët tona funksionojnë ose jo. Këtu mund të ketë hapësirë për të reflektuar, por thënë e gjithë kjo pas fjalëve vijnë veprat. Gjithmonë krah Europës, çfarëdo të ndodhë.

Stjepan Oresković: Faleminderit Edi Rama. Nuk zhgënjeni kurrë!

Top Channel