
Shtetet e Bashkuara nuk do të lejojnë zyrtarët dhe diplomatët palestinezë, përfshirë udhëheqësin e Autoritetit Palestinez (PA), Mahmoud Abbas, të marrin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet muajin e ardhshëm në Nju Jork.
Një njoftim i Departamentit të Shtetit sot thotë se SHBA-të po revokojnë vizat e anëtarëve të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) dhe Autoritetit Palestinez përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator.
Këto kufizime nënkuptojnë se Abbas nuk do të jetë në gjendje të udhëtojë në Nju Jork për të mbajtur një fjalim në takimin vjetor të OKB-së, siç bën zakonisht.
Ky veprim vjen pas vendosjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj zyrtarëve të Autoritetit Palestinez dhe anëtarëve të PLO-së në korrik, ndërsa vendet e tjera perëndimore kanë ndjekur një linjë të kundërt, duke njohur pavarësinë e shtetit të Palestinës ose duke treguar se kanë ndërmend të vazhdojnë me njohjen e tij.
Në deklaratën e tij, Departamenti i Shtetit tha se misioni i Autoritetit Palestinez në OKB nuk do të përfshihet në dispozitat kufizuese.
Top Channel