Institucioni kryesor i shëndetit në SHBA përfshihet nga kaosi! Shkarkohet drejtoresha, në vend të saj emërohet njeriu i Robert F. Kennedy Jr

29/08/2025 08:05

Largimi i detyruar i një shkencëtareje dhe ardhja e një aleati politik! Çfarë po ndodh në krye të CDC-së?

Shtëpia e Bardhë ka zgjedhur Jim O’Neill, zëvendëssekretar i Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), për të drejtuar përkohësisht Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA (CDC).

Emërimi vjen mes një përplasje të ashpër institucionale për shkarkimin e drejtoreshës së sapoemëruar, Susan Monarez, e cila ka refuzuar të largohet nga posti.

Monarez, një specialiste e sëmundjeve infektive dhe e konfirmuar nga Senati vetëm një muaj më parë, u shkarkua në mënyrë të papritur të mërkurën nga HHS, pa dhënë arsye zyrtare. Por përmes avokatëve të saj, ajo ka kundërshtuar vendimin duke deklaruar se, si zyrtare e emëruar nga presidenti dhe e konfirmuar nga Senati, vetëm presidenti Donald Trump mund ta shkarkojë.

“Vetëm presidenti mund ta shkarkojë atë. Njoftimi i marrë është ligjërisht i pavlefshëm. Monarez mbetet drejtoreshë e CDC,” – tha avokati i saj Mark Zaid në një deklaratë në rrjetin social Bluesky.

Në një reagim të menjëhershëm, zëdhënësi i presidentit Trump, Kush Desai, tha: “Susan Monarez nuk është e përputhshme me agjendën e presidentit për një Amerikë të shëndetshme. Meqë ajo refuzoi të dorëhiqej, Shtëpia e Bardhë e ka larguar nga detyra.”

Vendimi për ta zëvendësuar Monarez-in me Jim O’Neill ka shkaktuar valë dorëheqjesh në nivelet më të larta të CDC-së. Katër zyrtarë të lartë – përfshirë shefin mjekësor dhe drejtuesin e sigurisë së vaksinave – dhanë dorëheqje në shenjë proteste, duke akuzuar administratën për ndërhyrje politike, shpërndarje dezinformatash dhe shkurtime të rrezikshme në buxhetin e shëndetësisë.

Jim O’Neill, për dallim nga Monarez, nuk ka përvojë shkencore apo mjekësore. Ai ka qenë më parë zyrtar në administratën e George W. Bush dhe ka punuar për investitorin miliarder dhe donatorin konservator Peter Thiel. O’Neill është kritik i CDC-së, veçanërisht për trajtimin e pandemisë Covid-19, dhe mbështet politikën e Robert F. Kennedy Jr. për të kufizuar përdorimin e vaksinave.

Kennedy, i cili mbikëqyr CDC-në në rolin e tij aktual, është i njohur për qëndrimet e tij anti-vaksinë. Ai ka shkurtuar fondet për kërkimin mjekësor dhe ka larguar ekspertët shkencorë nga pozicionet kyçe. Të mërkurën, ai gjithashtu vendosi kufizime të reja për përdorimin e vaksinave kundër Covid-19 në SHBA.

Përplasja mes Monarez dhe administratës është thelluar pas vendimit të saj për të mos zbatuar urdhra të cilësuar si të rrezikshëm dhe joshkencorë.

Avokatët e saj deklaruan: “Kur Susan Monarez refuzoi të vuloste direktiva të rrezikshme politike dhe të shkarkonte ekspertë të shëndetit publik, ajo zgjodhi të mbrojë jetën e qytetarëve mbi një agjendë politike. Për këtë arsye, u bë objektiv.”

Tensionet u shtuan edhe më tej pas ngjarjes tragjike të këtij muaji në selinë e CDC-së në Atlanta, ku një person i armatosur vrau një oficer policie. Zyrtarët shprehën zemërim për mënyrën si u menaxhua situata nga administrata.

Ndër dorëheqjet e zyrtarëve të lartë të CDC janë:

Dr. Debra Houry, shefe mjekësore;

Dr. Daniel Jernigan, përgjegjës i sigurisë së vaksinave;

Dr. Jennifer Layden, drejtuese e zyrës së të dhënave për shëndetin publik;

Dr. Demetre Daskalakis, përgjegjës për rekomandimet mbi vaksinat.

Jernigan deklaroi për Reuters dhe Washington Post se u detyrua të rishikojë dhe ndryshojë të dhëna të sigurisë së vaksinave, përfshirë pretendimin e rremë se vaksinat shkaktojnë autizëm. Ai tha se ishte udhëzuar nga ndihmësit e Kennedy-t, Lyn Redwood dhe David Geier – të dy aktivistë anti-vaksinë.

Reagimet politike nuk munguan. Senatori Bernie Sanders e quajti përpjekjen për të shkarkuar Monarez “të turpshme” dhe kërkoi një seancë dëgjimore.

Senatorja Elizabeth Warren shpërndau një video të O’Neill nga dëgjimi i tij në Senat, ku ai vlerësonte Robert F. Kennedy Jr. për trajtimin e një shpërthimi të frikshëm të fruthit në Teksas, duke komentuar:

“Donald Trump po pastron drejtuesit e CDC-së dhe po vendos një njeri që mendon se Kennedy po bën një ‘punë të shkëlqyer’ ndërsa fruthi përhapet me ritme rekord. Këta njerëz janë rrezik për shëndetin publik.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta