Hamasi kërcënon Izraelin: Nëse sulmoni qytetin e Gazës, pengjet do të përballen me të njëjtat rreziqe që i kanosen luftëtareve tanë

29/08/2025 22:08

Hamasi paralajmëroi sot se nëse Izraeli po përgatit nis sulmin në Qytetin e Gazës, pengjet izraelite që mban do të përballen me “të njëjtat rreziqe” si luftëtarët e saj.

“Ne do të kujdesemi për të burgosurit sa më mirë që të mundemi, dhe ata do të jenë me luftëtarët tanë në zonat e luftimeve dhe konfliktit, ata do t’i nënshtrohen të njëjtave rreziqeve dhe të njëjtave kushte jetese”, thuhet në një deklaratë të lëshuar nga Hamasi.

“Për çdo të burgosur të vrarë në sulm, ne do të publikojmë emrin e tij, foton e tij dhe provat e vdekjes së tij”, shtohet në tekstin që i atribuohet zëdhënësit të krahut të armatosur të Hamasit, i njohur me nofkën Abu Obeida.

Pas pothuajse dy vitesh lufte, e cila u nxit nga sulmi i paprecedentë i Hamasit në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, qeveria e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu i ka urdhëruar ushtrisë të përgatitet për një sulm të madh të afërt në Qytetin e Gazës me qëllimin e deklaruar të asgjësimit të Hamasit dhe kthimit në Izrael të të gjithë pengjeve që mbahen ende në Rripin e Gazës.

Nga 251 pengjet e marra gjatë sulmit të 7 tetorit, 47 mbeten në Rripin e Gazës, nga të cilët rreth 20 besohet se janë ende gjallë.

Sipas një vlerësimi të OKB-së, rreth një milion palestinezë ndodhen në Qytetin e Gazës, të cilin ushtria izraelite e shpalli zyrtarisht sot një “zonë lufte”.

“Ushtria armike dhe qeveria e saj terroriste do të mbajnë përgjegjësi të plotë” për fatin e pengjeve, shkruhet në deklaratën e Hamasit, duke shtuar se planet e betejës izraelite “do të kthehen kundër udhëheqësve ushtarakë dhe politikë të Izraelit”.

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta