
Një padi e re kundër Karim Khan, kreut të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC), ka dalë në dritë, pasi një grua e dytë pretendon se ka qenë viktimë e ngacmimit seksual gjatë kohës që ata ishin bashkë.
Gruaja pretendon se Khan, kur ai ishte përgjegjës për mentorimin e profesionistëve të rinj, ka bërë ngacmime seksuale të padëshiruara dhe ka abuzuar me pushtetin e tij. Akuzat e saj datojnë që nga viti 2009, kur ajo punonte si asistente e tij e papaguar, sipas Guardian.
Khan, i cili mohon kategorikisht akuzat e abuzimit seksual, është larguar përkohësisht nga posti i kreut të departamentit të ndjekjes penale të ICC-së, ndërsa pret rezultatet e një hetimi mbi akuza të tjera për abuzim seksual të ngritura nga një punonjës i ICC. Hetimi, i cili u nis vitin e kaluar nga agjencia e OKB-së, përfshin padinë e re, e cila u raportua në verë.
Gruaja e dytë tha se ishte viktimë e sjelljes dominuese të Khan gjatë kohës që punonte me të në Holandë. Ankuesja tha se Khan, i kërkoi asaj të punonte në shtëpinë e tij, ku ajo pretendon se ishte e detyruar të duronte ngacmimet e tij të vazhdueshme seksuale.
Hetimi bazë është duke vazhduar dhe rrethanat e akuzave do të shqyrtohen nga ekspertë ligjorë, të cilët do të rekomandojnë se çfarë masash duhet të merren kundër Khan nëse vërtetohet se ai ka shkelur rëndë detyrat e tij. Nëse ai shpallet fajtor për shkelje të rënda, ai mund të përballet me shkarkimin nga detyra me një votim të fshehtë të 125 shteteve anëtare të Gjykatës.
Në deklaratën e tij të parë publike pas zbulimit të akuzave, Khan tha se “në 30 vjet punë në fusha të ndryshme, nuk ka pasur kurrë asnjë ankesë kundër meje nga askush”.
Khan, 55 vjeç, u zgjodh në vitin 2021 për të shërbyer një mandat nëntëvjeçar si prokuror i përgjithshëm. Ai është në thelb fytyra publike e ICC-së, një gjykatë e shkallës së fundit që heton dhe ndjek penalisht individë të akuzuar për krime kundër njerëzimit.
Top Channel