
Bashkimi Evropian duhet të shqyrtojë hakmarrjen kundër sektorit të shërbimeve dixhitale të Shteteve të Bashkuara, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump kërcënoi me tarifa të reja në përgjigje të rregulloreve dhe taksave mbi sektorin e teknologjisë, u tha presidenti francez, Emmanuel Macron ministrave të tij.
Gjatë mbledhjes së tij javore të kabinetit, Macron theksoi nevojën që Evropa të shqyrtojë mundësitë e saj në sektorin dixhital pas sulmit të Trump të hënën.
Sipas një zyrtari të lartë të qeverisë franceze, të cituar nga Politico, presidenti Macron tha se BE nuk duhet të përjashtojë mundësinë e shqyrtimit të hakmarrjes kundër “lojtarëve” amerikanë të teknologjisë.
Deklarata erdhi pasi Trump kërcënoi të vendoste tarifa të reja për vendet, rregulloret e tregut dixhital të të cilave shihen si të padrejta për kompanitë amerikane.
Kërcënimi erdhi vetëm disa javë pasi Uashingtoni dhe Brukseli nënshkruan një marrëveshje tregtare që do të vendoste një taksë minimale prej 15% mbi eksportet e BE-së në SHBA. Kërcënimi i Trump për masa të reja erdhi si një surprizë për zyrtarët evropianë.
Macron, i cili tradicionalisht ka udhëhequr vijën evropiane për pozicione më të ashpra tregtare kundër Trump, nuk e fshehu zhgënjimin e tij me marrëveshjen tregtare, duke argumentuar se Evropa nuk kishte “arritur të trembte mjaftueshëm” për të siguruar kushte më të mira.
Bashkimi Evropian, pavarësisht kundërshtimeve të Francës, duket se po shmang një konflikt të plotë tregtar me SHBA-në, pasi shumica e shteteve anëtare ngurrojnë të ndërmarrin kundërmasa të mëdha.
Informacionet nga shoqëruesit e Macron konfirmojnë se ideja e hakmarrjes është me të vërtetë qëndrimi i presidentit francez, i cili pritet ta diskutojë më tej çështjen me kancelarin gjerman, Friedrich Merz këtë javë.
Top Channel