Frika nga armët bërthamore/ Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania planifikojnë të rivendosin sanksione ndaj Iranit

28/08/2025 16:58

Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania planifikojnë të rivendosin sanksionet e OKB-së ndaj Iranit për shkak të frikës se po zhvillon armë bërthamore.

Tre vendet evropiane, të njohura si E3, po bëjnë këtë hap pasi përpjekjet për rifillimin e bisedimeve diplomatike mbi programin bërthamor të Teheranit kanë ngecur. Irani insiston se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore, por ka pasuruar uranium në nivele që tejkalojnë ato të nevojshme për energji bërthamore civile, sipas Sky News.

Kjo është shkelje e marrëveshjes së arritur me vendet perëndimore në vitin 2015, kur një seri sanksionesh u pezulluan.

Megjithatë, tani këto vende i kanë shkruar sekretarit amerikan të shtetit, Marco Rubio, duke e informuar për qëllimin e tyre, dhe të enjten pasdite kanë njoftuar OKB-në.

Para se sanksionet të hyjnë në fuqi, do të ketë një periudhë prej 30 ditësh ku Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania shpresojnë që të zhvillohen bisedime dhe Irani të pranojë të tërhiqet nga ambiciet e tij bërthamore. Rivendosja e sanksioneve nuk është pritur mirë nga iranianët, teksa një zyrtar i lartë iranian tha për Reuters se vendi “nuk do të dorëzohet nën presion”.

Zyrtari tha se Irani ka përdorur “të gjitha kapacitetet” për të bindur E3 që të mos ndërmarrë këtë hap.

Top Channel