Dha urdhër për ta shkarkuar, Trump paditet nga guvernatorja e Rezervës Federale

28/08/2025 16:36

Guvernatorja e Rezervës Federale të Shteteve të Bashkuara, Lisa Cook, ka paditur presidentin Donald Trump për përpjekjen e tij për ta shkarkuar nga posti, duke hapur kështu rrugën për një betejë të mundshme ligjore lidhur me pavarësinë e bankës qendrore amerikane.

Në padinë e saj, Cook i ka kërkuar gjykatës të shpallë urdhrin e Trump për shkarkimin e saj si “të paligjshëm dhe të pavlefshëm”.

Ajo ka përfshirë gjithashtu në padi edhe Kryetarin e Fed-it, Jerome Powell, si dhe Bordin e Guvernatorëve.

Trump ka deklaruar se ekzistonin “arsye të mjaftueshme” për të besuar se Cook kishte dhënë deklarata të rreme në lidhje me një kredi hipotekare, duke cituar gjithashtu kompetencat kushtetuese që, sipas tij, i lejojnë ta shkarkojë atë.

Ky zhvillim pritet të nxisë një sërë sfidash ligjore, të cilat mund të përfundojnë në Gjykatën e Lartë të SHBA.

Top Channel