“Boll me zvarritje”, OKB bën thirrje: Duhen hapa konkretë për fundin e luftës në Gaza!

28/08/2025 14:42

“Sot bota shikon me tmerr teksa situata në territoret palestineze vazhdon të përkeqësohet në nivele të papara në historinë e kohëve të fundit!”

Ramiz Alakbarov, Zëvendës Koordinator Special i OKB-së për Procesin e Paqes në Lindjen e Mesme, Ramiz Alakbarov, ka tërhequr vëmendjen tek situata në rajon duke u përqendruar në Gaza, e cila siç tha ai, po “zhytet gjithmonë e më thellë në katastrofë, me bilancin në rritje të shpejtë te viktimave në radhët e civilëve, dhe zhvendosje masive dhe, tani, me armën e urisë teksa këtij konflikti, nuk i shihet fundi.

“Po flasim për një popullsi, e cila tashmë lufton për të mbijetuar. Palestinezët në Gaza po i shohin frikërat e tyre më të këqija të bëhen realitet para syve të tyre. Operacionet e zgjeruara ushtarake në Qytetin e Gazës do të kenë pasoja katastrofike, duke përfshirë zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve.”, u shpreh Ramiz Alakbarov, OKB.

Alakbarov raportoi se sulmet ushtarake izraelite janë intensifikuar në të gjithë Rripin e Gazës, duke shënjestruar tendat që strehojnë persona të zhvendosur, shkolla, spitale dhe ndërtesa banimi. Që nga 23 korriku, mbi 2.500 palestinezë janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë. Prej tyre, të paktën 270 vetë thuhet të kenë humbur jetën teksa tentonin të merrnin ushqim, shumë prej tyre të qëlluar në afërsi të pikave të shpërndarjes së ndihmave. Ndërsa që nga nisja e konflikti në 7 tetor të vitit 2023, llogariten të jenë vrarë atje më shumë se 240 gazetarë.

Gjatë vizitës sime të fundit në Gaza, u befasova nga shkalla e shkatërrimit dhe vuajtjeve. Takova punonjës humanitarë që rrezikonin jetën e tyre për të ofruar ndihmë, ndërsa vetë jetonin në kushte të patolerueshme“, theksoi Alakbarov.

Top Channel