
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar akuzat e presidentit amerikan, Donald Trump ndaj Sorosit.
Kryedemokrati i bëri komentet gjatë një konference për gazetarët, duke thënë se ‘Akuzat e Trump janë akt historik’.
“Në një akt historik, presidenti i SHBA, akuzoi dje bazuar në aktin ligjor të RICO-s, Xhorxh Sorosin dhe djalin e tij, ekstremist të majtë, Aleksis Soros si organizatë kriminale që kanë ushtruar një veprimtari intensive kundër rendit dhe sigurisë së SHBA.
Xhorxh Sorosi dhe i biri i tij janë sot mbështetja kryesore e grupeve kryesore dhe ideologjisë marksiste dhe post-marksiste në SHBA dhe në botë.
Unë vij sot edhe për të rikujtuar se 8 vite më parë e kam shpallur Sorosin një monstër të njerëzimit.
I kam kërkuar publikisht Senatit dhe Kongresit të SHBA që të ndalojnë me ligj veprimtarinë e tij kriminale, antidemokratike jashtë SHBA.
Të njëjtën kërkesë i kam paraqitur publikisht edhe Parlamentit Europian.
Për Shqipërinë, e kam konsideruar dhe e konsideroj atë një armik të egër të demokracisë shqiptare.
E vërteta është se po në këtë fjalë publike, unë kërkova shpalljen e tij non-grata.
Gjatë këtyre viteve ai përdori të gjithë fuqinë e tij politike, monetare kundër demokracisë në Shqipëri.
Por rikujtoj shqiptarët se Soros dhe i biri, pas Nju Jorkut, kryeqytetin e dytë më të rëndësishëm në botë kanë pasur Tiranën.
Në Tiranë, ata, me investimet e tyre të pakufishme financiare, me lobimet e tyre kriminale, ata arritën të transformojnë rendin demokratik dhe Kushtetutën e vendit.
Xhorxh Soros, fondacioni i tij dhe i biri i tij, u angazhuan në të ashtuquajturat reforma që kishin vetëm një qëllim: monizmin dhe narkoshtetin në Shqipëri.
Ata ndikuan shumë në administratën e Joe Biden, por ndikuan edhe në kancelari të tjera.
Ata u bënë mbështetje kryesore e dhunimit të zgjedhjeve dhe pranimit të zgjedhjeve të dhunuara pa u numëruar ende votat siç ishte rasti i vitit 2021.
Ata u bënë mburojë e kanabizimit të plotë të vendit dhe më vonë hapjes së karteleve të drogës, më të fuqishme në Europë.”, u shpreh Berisha.
Top Channel