
Për disa analistë të rrethanave politike në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje po e përdor procesin e konstituimit të Kuvendit si një lojë strategjike për të zgjatur jetën e Qeverisë në detyrë dhe për të fituar avantazh politik.
Sipas Agon Maliqit, një shembull i qartë ishte seanca konstituive e 26 gushtit, ku u zgjodh kryetari i Kuvendit, por nuk u zgjodhën nënkryetarët e nevojshëm, përkatësisht përfaqësuesi i komunitetit serb.
Ai thotë se partitë ish-opozitare, PDK, LDK dhe AAK, ranë në “grackën” e Vetëvendosjes.
Ato nuk e votuan nënkryetarin e propozuar nga Lista Serbe, duke e mbajtur të bllokuar procesin e konstituimit, për shkak të, siç thotë Maliqi, frikës nga reagimi i opinionit publik dhe nga narrativi i Vetëvendosjes që e paraqet këtë parti si “dorë të zgjatur” të Serbisë.
Pa këtë votim, Kuvendi mbeti i papërfunduar, dhe kështu Vetëvendosje “arriti të ruante komoditetin e Qeverisë në detyrë”.
“Partitë opozitare po e pranojnë këtë lloj ‘loje’ më shumë nga frika elektorale”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Në vazhdimin e 58-të të seancës konstituive, më 26 gusht, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh kryetar me 73 vota – përfshirë ato të partive ish-opozitare, PDK dhe AAK.
Po të njëjtën ditë, u zgjodhën edhe tre nënkryetarë nga partitë shqiptare, një nënkryetare nga pakicat joserbe, por jo edhe nënkryetari serb.
Deputetët refuzuan të votonin kandidatin e propozuar nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, e ngjashëm nuk kaluan as kandidatët e tjerë që Basha i hodhi në votim përmes shortit.
Politologu Dritëro Arifi thotë se që nga nisja e konstituimit të Kuvendit, më 15 prill, partitë politike i kanë ngritur kurthe njëra-tjetrës.
Sipas tij, ish-opozita, duke refuzuar të votojë emra që ishin pjesë e Qeverisë së kaluar të udhëhequr nga Vetëvendosja, i dha kësaj të fundit mundësinë të imponojë kandidatin e saj për kryetar Kuvendi, Dimal Basha.
Basha – i njohur për gjuhë të ashpër ndaj kundërshtarëve, sistemit të drejtësisë dhe mediave – ishte deputet në legjislaturat e kaluara.
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se partia e tij e votoi Bashën për të zhbllokuar konstituimin e Kuvendit, por shtoi se nuk beson se edhe deputetët e Vetëvendosjes janë plotësisht të kënaqur me këtë zgjedhje, duke lënë të kuptohet se emërimi i tij ishte një kompromis i detyruar nga situata politike.
Një ditë pas konfirmimit të Bashës në krye institucionit ligjvënës, bashkëpartiaku i tij, Liburn Aliu, dha dorëheqje nga pozita e ministrit në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Por, edhe sipas Arifit, ish-opozita ra në “grackën” e Vetëvendosjes.
Duke refuzuar të votojë nënkryetarin serb, ajo i mundësoi Vetëvendosjes të vendosë ritmin e bllokadës, thotë ai.
“…sepse nuk ka sens që një pakicë ta vonojë Kuvendin e shumicës. Nëse kanë problem me Listën serbe, kjo duhet të shqyrtohet gjithmonë në mënyrë ligjore. Nëse ata deputetë [të Listës Serbe) janë certifikuar dhe i kanë kaluar filtrat, është absurde që tash të tentosh – në mënyrë primitive – t’i largosh nga Kuvendi i Kosovës”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.
Ai shton se partitë ish-opozitare, mbase, nuk do të kishin arritur të zgjidhnin nënkryetarin serb pa votat e Vetëvendosjes.
Por, sipas tij, ato rrezikuan të futen në “lojën joligjore dhe jokushtetuese” të Vetëvendosjes, e cila, si partia me më së shumti deputetë në Kuvend, tregoi se nuk dëshiron të ketë një nënkryetar nga Lista Serbe.
“Duket se Vetëvendosje dëshiron ta pengojë konstituimin e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe formimin e Qeverisë. Dhe kjo na shpie te limiti kohor që ka vënë Gjykata Kushtetuese, kur pas 17 shtatorit skadon 30-ditëshi [për konstituimin e Kuvendit]. Çka pastaj?”, pyet Arifi.
Një skenar, sipas tij, do të ishte që mënyra e votimit të nënkryetarëve nga partitë joshumicë – ndaras dhe jo në pako siç kërkohet – të përdorej si justifikim nga deputetë të caktuar për të kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Ky proces do të zgjaste edhe më tej kohën e konstituimit të plotë të Kuvendit, duke i shkuar për shtati Vetëvendosjes, thotë Arifi.
Në rast se kjo ndodh, “ekziston rreziku që, në mungesë të një Kuvendi të konstituuar dhe të një Qeverie të re, të mos mund të votohet as buxheti i vendit – gjë që do ta çonte vendin drejt bankrotit”, shton ai.
Maliqi pret që afati 30-ditësh për konstituimin e Kuvendit, i vendosur nga Gjykata Kushtetuese më 18 gusht, të respektohet.
“Kjo [bllokadë e konstituimit të Kuvendit] do të kalohet në një moment, në një mënyrë apo tjetër, qoftë me votat në Kuvend, qoftë me vendim të Gjykatës Kushtetuese mbi procedurën [e votimit të nënkryetarëve të Kuvendit nga radhët e komuniteteve joshumicë]. Por, edhe kur të tejkalohet, vështirë se ka interesim për Qeveri [të re] me këtë përbërje të Kuvendit”, thekson Maliqi.
Sipas tij, asnjëra parti nuk i ka votat e mjaftueshme për të krijuar një Qeveri të qëndrueshme dhe afatgjate.
Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosja me partnerët e saj fitoi 48 ulëse nga 120; PDK 24; LDK 20 dhe koalicioni AAK-Nisma 8 ulëse.
Pa një partner qeverisës, Vetëvendosja nuk mund të sigurojë shumicën, dhe sipas disa analistëve, synimi i saj është të shkojë në zgjedhje të reja ose të zvarrisë formimin e Qeverisë për të shmangur procese të vështira, si zbatimi i Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Megjithatë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është zotuar se Vetëvendosja e tij do t’i formojë institucionet e reja./REL
Top Channel