Nga: Alush Gashi

Më 29 gusht 1990, Senator Robert Dole, së bashku me disa prej senatorëve më të fuqishëm amerikanë të kohës, realizoi vizitën më të rëndësishme që kishte ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Përkundër ndalesës policore, mbi njëqind mijë qytetarë paqësorë dolën përpara Hotelit Grand për të pritur delegacionin amerikan, të kryesuar nga heroi i Luftës së Dytë Botërore, Senator Dole, (i plagosur rëndë në Itali më 15 prill 1945).

Policia reagoi me dhunë ndaj qytetarëve që duartrokisnin e brohorisnin: “USA, USA, Liri, Pavarësi, Demokraci.” Në atë vizitë historike në Prishtinë, Senator Dole deklaroi me vendosmëri:

“…Askush nuk guxon të ndëshkojë protestuesit paqësorë…”

Kjo vizitë shënoi pikënisjen e mbështetjes së qartë amerikane për të drejtat e njeriut dhe për politikën paqësore të shqiptarëve të Kosovës.

Në një kohë kur Serbia ushtronte dhunë të pashembullt ndaj shqiptarëve dhe kishte shkatërruar institucionet vetëqeverisëse të Kosovës, mobilizimi i jashtëzakonshëm i shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, filloi të fitonte admirim dhe mbështetje ndërkombëtare. Organizimi i brendshëm dhe rezistenca paqësore aktive tërhoqën vëmendjen e një prej figurave më të respektuara të Amerikës — Senator Robert Dole.

Në Hotelin Grand, senatorët dëgjuan dëshmi të rëndësishme nga përfaqësues politikë, veprimtarë dhe gazetarë, përfshirë Presidentin Ibrahim Rugova, Adem Demaçin, Fehmi Aganin, Rexhep Qosen dhe shumë të tjerë. Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë, i larguar dhunshëm nga detyra, pata rastin të dëshmoja mbi gjendjen e Fakultetit të Mjekësisë në Prishtinë, veçanërisht për helmimet dhe përjashtimin me dhunë të profesionistëve shëndetësorë.

Në atë ditë të paharruar gushti, Senator Dole na premtoi se nëse vazhdonim angazhimin paqësor për liri, Amerika do të qëndronte në krahun e Kosovës. Dhe ashtu ndodhi: për më shumë se tri dekada, SHBA na ka këshilluar, mbështetur dhe udhëhequr drejt lirisë.

Në planin personal, për dekada me radhë kam pasur nderin dhe privilegjin që sa herë vizitoja Washington DC, takimi im i parë dhe më i rëndësishëm ishte me Senatorin Dole. Ai ishte burrështetas frymëzues, lider global dhe zë i fuqishëm për shtrirjen e lirisë në botë.

Bota është dëshmitare e zhvillimeve gjatë këtyre tri dekadave: Amerika mbajti fjalën dhe u realizua vizioni i Rugovës – Liri, Pavarësi, Demokraci.

Senator Robert Dole mbetet një nga figurat më të rëndësishme dhe më të dashura të luftës dhe paqes për Kosovën.

*Këshilltar i ish-Presidentit Rugova*

Top Channel