
Zjarri që nisi mesditën e sotme në sipërfaqen pyjore mbi fshatin Miras në Devoll vazhdon të jetë aktiv.
Sipas përgjegjësit të menaxhimit të pyjeve, situata vijon të jetë serioze, ndërkohë që ekipeve zjarrfikëse u janë bashkuar edhe banorët e zonës.
“U lajmëruam rreth orës 13:30. Së bashku me forcat zjarrfikëse dhe drejtorinë e shërbimeve erdhëm të gjithë në ndihmë. Jemi angazhuar që të gjithë në shuarjen e zjarrit, jemi në gatishmëri. Gjithashtu kemi patur ndërhyrje dhe nga banorët e zonës, të cilët kanë ndihmuar në shuarjen e zjarrit. Sipërfaqja e deritanishme mund të jetë rreth 5 ha, me pishë të zezë, dushqe të llojit qar. Situata është nën kontroll deri më tani por besoj se do të zgjasë, deri nesër do të jetë zjarri aktiv. Nuk mund të themi që zjarri do të shuhet brenda kësaj nate. Për shkak të terrenit shumë të thyer ne dhe zjarrfikësit e kemi patur shumë të vështirë të ndërhyjmë. Ndërhyrja është bërë me mjete rrethanore. Jemi munduar me të gjitha mënyrat, me breza, me kundra zjarre por për shkak se bimësia është shumë e dendur dhe sipërfaqja është e mbuluar me bimësi barishtore, është e vështirë edhe fikja dhe hapja e brezave që mund të parandalojnë zjarrin. Mesa dimë deri tani është vetëm një vatër, origjinën e vatrës ku ka nisur zjarri nuk mund ta përcaktojmë pasi kërkon rreth 30 minuta të arrijmë në vatër për shkak të terrenit. Ka rrezik pasi fshati më i afërt është Sinica dhe nëse zjarri merr përmasa më të mëdha, edhe mund të rrezikohet por besoj se deri nesër do të shuhet”, u shpreh për Top Channel, Orgest Cenolli.
Top Channel