
Me urdhrin e PZAP-së u duk se mori fund saga e certifikimit të Listës Serbe në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, por duket se Lëvizja Vetëvendosje nuk është ende e gatshme të dorëzohet.
Anëtarë të saj kanë paraqitur në Gjykatën Supreme një ankesë ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) të lejojë pjesëmarrjen në zgjedhje të forcës kryesore politike të serbëve në vend, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi – të vetmit që votuan kundër certifikimit të kësaj partie – ishin ata që i kërkuan Supremes të rrëzojë vendimin e PZAP-së.
Episodi konsiderohet sidoqoftë gati një lloj përsëritjeje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe u kritikua ashpër nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e kësaj partie.
Lista Serbe vendosi të garojë në zgjedhjet e sivjetshme lokale, pasi kishte bojkotuar zgjedhjet e kaluara lokale, duke bërë që kryetarët shqiptarë ta merrnin dhe mbanin pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit nga maji i vitit 2023.
Nëse certifikohet, ajo pritet të fitojë në të katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Top Channel