Trump sulmon Lavrov-in, Financial Times: SHBA, gati të ofrojë mbrojtje ajrore për Ukrainën!

27/08/2025 12:37

Shtetet e Bashkuara kanë shprehur gatishmërinë e tyre për të ofruar burime inteligjence dhe mbikëqyrjeje të fushëbetejës në kuadrin e një plani sigurie të Perëndimit për Ukrainën e pasluftës dhe për qenë pjesëmarrëse në një mburojë mbrojtëse ajrore të udhëhequr nga Europa, duke përfshirë këtu dhe një zonë ndalim-fluturimi.

Lajmin e përcjell Financial Times, që hyn edhe më shumë në detaje duke treguar se plani i kancelarive perëndimore do të përfshinte një rajon të çmilitarizuar, të patrulluar mbase nga paqeruajtës neutralë prej një vendi të tretë, me të cilët të bien si Kievi, ashtu edhe Moska. Përtej kësaj do të ishte një kufi shumë më i fuqishëm, i mbrojtur nga trupat ukrainase të armatosura dhe të trajnuara nga NATO.

Më në brendësi, si një linjë e tretë mbrojtjeje, do të ishte një forcë parandaluese e udhëhequr nga Europa. Zyrtarë të lartë amerikanë, vazhdon shkrimi, u kanë pohuar homologëve të tyre në Europë se Uashingtoni do të ishte gati të kontribuonte me “elementë strategjikë”, duke përfshirë këtu të dhënat e inteligjencës, mbikëqyrjen dhe zbulimin, komandën dhe kontrollin, si dhe asete të mbrojtjes ajrore, për të mbështetur çdo forcë të drejtuar nga BE-ja në terren.

Oferta amerikane është e kushtëzuar sakaq nga angazhimi që të jenë  kryeqytetet europiane ato të cilat të vendosin dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë, sepse SHBA-ja e kundërshton stacionimin e ushtarëve te saj atje. Vetë Donald Trumpi ndërkohë, shfaqi sërish një lloj pakënaqësie me Moskën teksa, përdori një term vulgar për të kritikuar vërejtjet e Ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në lidhje me “mungesën e legjitimitetit” të Volodymyr Zelensky-t në nënshkrimin e traktateve të ardhshme të paqes midis Rusisë dhe Ukrainës. “Ç’rëndësi ka se çfarë thonë, ata vetëm impostohen, janë thjesht budallallëqe”, tha presidenti amerikan në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve.

Top Channel