Tensione në ajër! Bombarduesit gjermanë përballë avionit rus, prag-përplasje në Baltik

27/08/2025 15:33

Avionët luftarakë gjermanë u ngritën në ajër e u vunë në ndjekje të një avioni zbulues rus Il-20 mbi Detin Baltik.

Dy Eurofighter u ngritën nga baza ajrore Rostock-Laage në Gjermani, pasi aeroplani rus u diktua me transponderët e tij të fikur dhe pa një plan të sqaruar fluturimi, thotë DW.

Incidenti i shtohet një serie provokimesh ajrore të raportuara nga aleatët e NATO-s që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, pasi Moska dyshohet ta ketë përdorur avionin për të gjurmuar pozicionet e trupave të aleancës.

Episodi më i fundit shënon incidentin e dhjetë të këtij lloji ku përfshihen avionë gjermanë që nga fillimi i këtij viti. Nuk ka detaje të mëtejshme rreth vendndodhjes së saktë të përballjes apo të dhëna sesa kohë qëndroi avioni rus në hapësirën ajrore të kufizuar.

Në incidentet e mëparshme, aeroplanët rusë janë ngritur nga Kaliningradi, duke u drejtuar në perëndim drejt hapësirës ajrore ndërkombëtare pranë Polonisë, Gjermanisë, Suedisë dhe Danimarkës.

Ata shpesh fluturojnë pa përdorur transponderë, duke mos paraqitur plane fluturimi dhe nuk krijojnë kontakt me kontrollin rajonal të trafikut ajror –lëvizje këto që konsiderohen si me rrezikshmëri të lartë nga zyrtarët e NATO-s.

Top Channel