
Lozana është përfshirë nga trazira të dhunshme pas vdekjes së një adoleshenti emigrant 17-vjeçar, i cili humbi jetën në një aksident me skuter teksa i ikte policisë.
Ngjarja ndodhi në orët e para të së dielës, kur i riu Marvin M. po lëvizte me një skuter të vjedhur dhe u përplas me një mur garazhi.
Pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të urgjencës, ai ndërroi jetë në vendngjarje. Prokuroria e kantonit Vaud ka hapur një hetim penal për rrethanat e aksidentit.
Lajmi i vdekjes së tij shkaktoi protesta që shpejt u shndërruan në përplasje me policinë. Sipas autoriteteve, rreth 100 të rinj me fytyra të mbuluara dolën në rrugët e lagjes Prélaz natën e së dielës, duke hedhur fishekzjarre, duke djegur kontejnerë dhe duke dëmtuar një autobus.
Tensionet u përshkallëzuan edhe më shumë të hënën në mbrëmje, kur mbi 150 persona ngritën barrikada me kontejnerë plehrash dhe i vunë flakën. Rreth 140 policë u angazhuan në përplasjet, ndërsa përdorën gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit.
Sipas bilancit zyrtar, policia përdori 54 granata gazi dhe arrestoi shtatë persona.
Kjo është vdekja e tretë në më pak se tre muaj në Lozanë gjatë ndërhyrjeve policore, duke shtuar tensionet mes komuniteteve emigrante dhe autoriteteve lokale. Që nga viti 2016, shtatë persona kanë humbur jetën në raste të ngjashme në qytet dhe rajonin përreth, pesë prej tyre me origjinë afrikane.
Top Channel