“Shekulli i poshtërimit të Europës sapo ka filluar”/ Analiza e Politico: Si marrëveshja tregtare e Von der Leyen me Trump e la BE-në të pambrojtur

27/08/2025 11:50

Pas humbjes nga britanikët në Luftën e Parë të Opiumit, dinastia Qing nënshkroi në vitin 1842 një traktat që e dënoi Kinën me më shumë se 100 vjet shtypje të huaj dhe kontroll kolonial mbi politikat tregtare.

Ishte traktati i parë i ashtuquajtur “i pabarabartë”, i imponuar nga fuqia ushtarake dhe teknologjike e kohës.

Politico shkruan se diçka e ngjashme po ndodh sot me Bashkimin Evropian. Pas vizitës së presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, në resortin e Donald Trump në Skoci për të nënshkruar një marrëveshje tregtare të diskutueshme, BE po shihet si pala e dobët, e varur dhe e detyruar të pranojë kushte të njëanshme.

Kritikët e quajtën marrëveshjen “akt nënshtrimi”, “disfatë të qartë politike për BE-në” dhe “kapitullim ideologjik e moral”. Por, vetëm pak ditë më vonë, Trump kërcënoi me tarifa të reja nëse Brukseli nuk tërhiqet nga rregullat e veta digjitale, duke paralajmëruar se mund të ndalojë eksportet e teknologjive vitale të mikroçipave drejt Evropës.

“Është një reflektim i dobësisë sonë strategjike,” pranoi Komisioneri për Tregtinë, Maroš Šefčovič, duke e lidhur marrëveshjen me varësinë evropiane nga SHBA për mbrojtjen dhe përballjen me Rusinë. Edhe Sabine Weyand, drejtoreshë e përgjithshme për tregtinë në Komision, paralajmëroi: “Po paguajmë çmimin pse e injoruam zgjimin që na dha mandati i parë i Trumpit. Dhe shpresoj të mos e përsërisim të njëjtën gjë tani.”

Politico bën një paralele historike: ashtu si perandoria kineze që refuzoi të modernizonte ushtrinë dhe teknologjinë, edhe Evropa pas Luftës së Ftohtë uli shpenzimet e mbrojtjes dhe mbeti prapa në teknologjitë kyçe. Sot, SHBA ka kartat ushtarake e teknologjike, ndërsa BE nuk mund të përballet as me Rusinë pa ndihmën amerikane.

Trump, nga ana e tij, e pagëzoi marrëveshjen si “sistemi i Turnberry-t”, duke e krahasuar me rendin financiar të Bretton Woods pas Luftës së Dytë Botërore. Por teksti i katërfaqesh i marrëveshjes është aq i paqartë, sa që lë hapësirë për presion të ri nga Uashingtoni.

Mario Draghi paralajmëroi se kjo është provë e qartë se Evropa rrezikon “të bëhet e parëndësishme, ose edhe më keq, nëse nuk arrin të reformohet”. Ai e theksoi boshllëkun në siguri: “Evropa është e paarmatosur në një botë ku marrëdhëniet tregtare drejtohen nga gjeopolitika e siguria, e jo nga efikasiteti.”

Çfarë mund të bëjë BE?

Ekspertët thonë se rruga për të shmangur “shekullin e poshtërimit” është investimi masiv në mbrojtje, teknologji dhe integrimin e mëtejshëm të tregut të brendshëm. Ish-kryeministri italian Enrico Letta dhe Mario Draghi kanë kërkuar reforma institucionale që të rrisin konkurrueshmërinë e bllokut.

Ministri francez për Evropën, Benjamin Haddad, kërkoi investime të mëdha në inteligjencën artificiale, kompjuterët kuantikë dhe teknologjitë e gjelbra: “Siç bëjnë amerikanët, edhe ne duhet të mbrojmë industrinë tonë sovrane.”

Ndërkohë, BE po përpiqet të zgjerojë marrëveshjet tregtare me vende si India, Indonezia dhe bllokun Mercosur në Amerikën Latine, duke shpresuar të shmangë varësinë absolute nga SHBA.

Por Politico e mbyll analizën me një pyetje thelbësore:

A do të arrijë Evropa të bëhet qendër e tregtisë së lirë në një botë gjithnjë e më të fragmentuar — apo do të mbetet një fushë beteje mes SHBA-së dhe Kinës?

Top Channel