Pretendon se u qëllua me shuplakë nga stjuardesa, pasagjeri padit Delta Air Lines, kërkon 9.5 milionë dollarë dëmshpërblim

27/08/2025 11:24

Një pasagjer i kompanisë ajrore Delta Air Lines, Mohammad Shibli, pretendon se u godit me shuplakë nga një asistente fluturimi pasi kërkoi një gotë ujë për djalin e tij të vogël.

Ai dhe avokatët e tij mbajtën një konferencë për shtyp të martën, ku njoftuan planet për të paditur linjën ajrore me 9.5 milionë dollarë.

Shibli, bashkëshortja dhe dy djemtë e tyre, 4 dhe 2 vjeç, ndodheshin në një fluturim të Delta-s nga Atlanta për në Fresno më 29 korrik, kur ndodhi incidenti. Ai pretendon se asistentja e paidentifikuar e fluturimit e goditi me shuplakë në fytyrë.

Sipas Shiblit, fluturimi ishte vonuar për rreth 20 minuta, dhe gjatë kësaj kohe djali i tij dyvjeçar kishte filluar të qante për ujë. Fillimisht, gruaja e tij kërkoi ujë, por kërkesa iu refuzua. Më pas, ai vetë u përpoq të merrte ujë, por edhe atij iu përgjigjën në mënyrë të pahijshme.

Shibli deklaroi se asistentja e fluturimit filloi të sillej agresivisht kur arriti në rreshtin e tyre, ndërsa shpërndante pijet.

Ai pretendoi gjithashtu se punonjësja e Deltës i ishte afruar dhe i kishte pëshpëritur një fjalë shumë vulgare në vesh, ndërsa kalonte pranë tij.

“U shokova dhe nuk mund ta besoja që një punonjës i Deltës do të më thoshte një fjalë kaq të neveritshme, e lëre më para djalit tim.”

Sipas tij, kur u përpoq të reagonte, asistentja e qëlloi me pëllëmbën e hapur aq fort, saqë zhurma mund të dëgjohej edhe përmes kufjeve që anulojnë zhurmën. Avokati i tij, Ali Awad, lexoi një deklaratë të një dëshmitari në konferencën për shtyp, i cili pretendoi se kishte dëgjuar një “shpërthim shumë të fortë” nëpërmjet kufjeve që zbusin zhurmat.

“Isha i bllokuar në atë aeroplan për gati katër orë. Ishte e dhimbshme dhe e sikletshme. Si baba, ndihesha i pafuqishëm para djalit tim. Si bashkëshort, u poshtërova. Dhe si pasagjer, kisha frikë për sigurinë time dhe të familjes sime”, u shpreh Shibli.

Akuzat për diskriminim

Avokati Awad theksoi se gruaja e Shiblit kishte veshur një bluzë palestineze gjatë fluturimit dhe kërkoi që Delta të aplikojë trajnim për ndjeshmërinë ndaj palestinezëve. Ai përmendi edhe një incident të korrikut 2024, kur Delta u përball me kritika për një postim në rrjetin X (ish-Twitter), ku i ishte përgjigjur një ankese në lidhje me punonjës që mbanin gjilpëra me flamurin palestinez.

Në atë kohë, një llogari në X publikoi foto të dy asistentëve të Delta-s që mbanin simbole me flamurin palestinez, dhe postimi sugjeronte se kjo e bënte autorin të ndjehej i pasigurt.

Përgjigja e Delta-s ishte:

“Të dëgjoj, pasi edhe unë personalisht do të isha i tmerruar.”

Kjo deklaratë shkaktoi një reagim të ashpër, me akuza ndaj Delta-s për krahasimin e flamurit palestinez me organizatën terroriste Hamas dhe thirrje për bojkot të linjës ajrore.

“Prandaj ju pyes: A është ky një incident i izoluar, apo një model diskriminimi të qartë ndaj palestinezëve?” – tha avokati Awad.

Padia pritet të depozitohet brenda kësaj jave. Ajo do të kërkojë që Delta të kërkojë ndjesë publike, të aplikojë trajnime për ndjeshmëri kulturore dhe që Shibli të dëmshpërblehet me një shumë që përfaqëson fitimet ditore të kompanisë – rreth 9.5 milionë dollarë.

Reagimi i Delta Air Lines

Në një deklaratë për Daily Mail, një zëdhënës i Delta konfirmoi se janë duke hetuar incidentin dhe se asistentja e fluturimit është pezulluar përkohësisht.

“Meqenëse siguria e klientëve dhe punonjësve tanë vjen mbi të gjitha, Delta nisi një hetim të menjëhershëm të brendshëm për këtë incident.
Ndërsa nuk komentojmë mbi hetimet në zhvillim apo çështje ligjore të hapura, mund të themi se po e marrim këtë situatë shumë seriozisht. Asistentja e fluturimit është pezulluar ndërsa hetimi vazhdon.”

Top Channel